Pas përfundimit të takimit mes krerëve të mazhorancës, interesimit të medias i është përgjigjur kryeparlamentari Ilir Meta, i cili ftoi opozitën që të mos bojkotojë mbledhjen e ekspertëve në reformën në drejtësi. Kreu i LSI e i Parlamentit Meta, tha se do të diskutohet çdo alternativë që opozita vë në tryezë.
“Ne sot kemi diskutuar edhe me Kryeministrin, edhe me Kryetarin e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi në Kuvend, z. Xhafaj, edhe me Ministrinë e Drejtësisë, me kryetarët e grupeve parlamentare lidhur me ecurinë e gjithë punës për të reflektuar sa më shpejt dhe për të përmbyllur draftin përfundimtar në bazë të rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Dua të përgëzoj punën e madhe që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë ekspertët vendas dhe ndërkombëtare, dhe në këtë drejtim dua të vlerësoj edhe përfshirjen e ekspertëve të opozitës. Do t’u bëja thirrje që të mos bojkotojnë për një çështje të caktuar apo për çdo çështje të caktuar këtë punë kaq të rëndësishme, sepse koha nuk pret dhe të përfshihen deri në fund dhe më pas çdo mendim tjetër alternativ ta diskutojmë në komisionin e përbashkët parlamentar për reformën në drejtësi.
Unë besoj që është bërë një punë e jashtëzakonshme gjatë më shumë se një viti, mbetet ende për të bërë dhe në këtë drejtim jemi fatlum, sepse kemi një platformë tashmë të përbashkët, që është pikërisht fryma e rekomandimeve të Komisionit të Venecias, për të cilat gjithë aktorët janë shprehur pozitivisht dhe tani nuk mbetet gjë tjetër veçse të vazhdojmë deri në fund të mbetemi të përfshirë në këtë proces që ta përmbyllim këtë proces.”- tha Meta.
Kryeparlamentari tha se tryeza politike nuk është një opsion që përjashtohet, por momentalisht diskutimet janë në tavolinën e ekspertëve, të cilët po përgatisin draftin përfundimtar të reformës
“ Jemi në nivelin ku grupi i ekspertëve vendas dhe ndërkombëtar ta përfundojë draftin e rishikuar mbi frymën e rekomandimeve të Venecias e më pas do të ecim dhe drejt atij procesi politik e parlamentar që është i domosdoshëm për të finalizuar këto ndryshime. Nuk bëhet fjalë për t’iu larguar tryezave politike, po ekspertët e opozitës të vazhdojnë punën. Çdo përpjekej për konsenus arrihet duke u ulur bashkë dhe jo duke u larguar nga tavolina”, tha kreu i Kuvendit.
Sakaq, pak minuta më parë, Kryeministri Rama i është drejtuar Presidencës për të patur një takim me Nishanin. Kreu i shtetit ditën e djeshme tha se do të ishte i gatshëm, që të bashkonte në një tryezë mazhorancën dhe opozitën, për të diskutuar në lidhje me reformën në drejtësi.
Opozita prej disa ditësh ka bojkotuar mbledhjet e ekspertëve për reformën me pretendimin se propozimi i votimit të zyrtarëve të lartë në drejtësi me formulën e 3/5-tave, është një vendim në interes të kësaj mazhorance, dhe me qëllim kapjen e gjyqësorit. Opozita kërkon që formula e votimit të jetë me 2/3, cka do të kërkonte automatikisht edhe përfshirjen e kartonave të të djathtëve në votimin e zyrtarëve të lartë në sistemin gjyqësor.
***
Kryeministri Edi Rama nuk pranoi të prononcohej për ngërçin në reformën në drejtësi, pas përfundimit të takimit me koordinatorët për zgjedhjet e ardhshme.
Rama u pyet nga Top Channel nëse do të përfshihet në diskutimet për zgjidhjen e ngërçit në reformën në drejtësi, por nuk bëri asnjë koment.
Palët kanë ngecur tek mekanizmi se me çfarë shumice zgjidhen anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Komisioni i Venecias thotë se ekziston rreziku që kur mazhoranca zotëron 3/5 e Parlamentit ajo të çimentojë ndikimin e saj tek drejtësia.
Demokratët propozojnë shumicën e 2/3-ve, gjë që s’është pranuar nga ekspertët e nivelit të lartë. Dhe në këtë pikë eskpertët e opozitës kërkuan zgjidhje në nivel politik. Pas mbledhjes së të martës kjo kërkesë u bë publike.
Top Channel mësoi se ekspertët demokratë do të vazhdojnë të mos shkojnë në asnjë mbledhje të nivelit teknik, derisa mazhoranca të pranojë se çështjet e ndryshimeve kushtetuese zgjidhen me konsesus politik. Dhe demokratët nuk janë të vetmit, që kërkojnë zgjidhje politike.