Deputeti socialist i qarkut të Fierit Erion Braçe tha se situata nga përmbytjet është përmirësuar ndjeshëm në fshatin Çermë të Lushnjes, aty ku çarja e argjinaturës të lumit Shkumbin dha pasojat më të rënda. Në një lidhje telefonike për Report TV Braçe tha se me ndërprerjen e reshjeve lumi ka filluar të hyjë në shtrat.
Deputeti i Partisë Socialiste theksoi se asnjë shtëpi nuk është përmbytur, dhe se dëmet kanë qenë vetëm në tokat bujqësore, por nuk la pa bërë me faj vetë banorët të cilët kanë ndërtuar ura mbi kanalet kulluese duke i bllokuar ata.
“Vetë banorët kanë vendosur ura mbi kanale, po detyrohemi të prishim urë më urë. Vetë banorët i kanë bërë dhe kanë bllokuar kanalet që derdhin ujërat. Po tërheqim ujërat për t’i derdhur në një kanal tjetër. Mos t’i japim nota tragjike, nuk ka asnjë banor të cenuar, të prekur në shëndetin e tij, ata që janë larguar nga banesat janë strehuar tek të afërmit e tyre. Nuk ka asnjë viktimë, as në njerëz as në bagëti. Dëmi më i madh ka ardhur në tokat buzë lumit dhe argjinaturës, toka të goditura nga lumi. Uji është vetëm në sipërfaqet e oborreve të shtëpive, me përjashtim të 2-3-4 familjeve ku uji ka hyrë brenda ambienteve të shtëpisë”, – tha deputeti socialist.
Braçe tha se puna për rregullimin e argjinaturës do të nisë gjatë ditës së premte.
“Tani për fat të mirë prurjet e lumit kanë rënë, lumi Shkumbin nga ura e Rrogozhinës ka filluar të hyjë në shtrat. E çara e argjinaturës është zgjeruar, 5-6 metra gjerësi dhe natyrisht nuk kishim asnjë lloj mundësie sot të vendosnim në vend argjinaturën. I vetmi problem është tek argjinatura, po i bëjmë të gjithë hyzmetin. Një histori më shumë se 28-vjeçare ku me argjinaturën është tallur kush ka dashur”, u shpreh Braçe.
Në përfundim, deputeti i PS theksoi se sipas banorëve lumi Shkumbin ka pasur të tilla prurje vetëm 50 vjet më parë.