Dy persona janë dënuar me 33 vjet burg për shkak se drejtonin një skemë pastrimi parash prej 70 milion paundësh. Ata pastruan 10 milion paund, nëpërmjet kredive që jepte qeveria e Mbretërisë së Bashkuar për bizneset që ishin prekur nga pandemia. Skema drejtohej nga një shtetas 38 vjeçar rusë dhe një shtetas 44 vjeçar lituanez.
Gjykata britanike i dënoi këta persona në fillim të muajit raporton “BBC”. Policia ka arritur të rikuperojë vetëm 17,000 paund për shkak se paratë janë shpërndarë në disa vende të botës. Dy burrat u arrestuan për herë të parë në vitin 2018 pas një hetimi që kishte nisur në vitin 2017. Oficerët e Agjencisë Kombëtare të Krimit dhe Policisë Metropolitane nisën hetimet pasi panë burrat që transportonin çanta të mëdha me para në apartamentet e tyre në Londrën lindore.
Agjencia Kombëtare e Krimit deklaroi, që dy shtetasit e huaj dhe persona të tjerë të grupit kriminal hapën llogari bankare në emër të kompanive që nuk ekzistonin. Paratë transferoheshin nëpërmjet internetit nga një kompani guackë në tjetrën, para se të transferoheshin në llogaritë bankare në Gjermani, Republikën Çeke, Emiratet e Bashkuara Arabe, Hong Kong dhe Singapor.
Dy personat ndërkohë që ishin arrest shtëpie, pas arrestimit të tyre në vitin 2018 ngritën një skeme mashtruese kredish për kompanitë guackë që kishin krijuar. Kreditë ishin një nga masat që mori qeveria e Mbretërisë së Bashkuar për të mbrojtur ekonominë e vendit nga pandemia. Ata arritën të merrnin, nga një bankë e vetme shifrën e 3.2 milion paundëve dhe arritën të merrnin në total 10 milion paund nga institucionet bankare britanike.
Gjykata dënoi shtetasin rus me 17 vjet burg dhe shtetasin lituanez me 16 vjet burg. Andy Tickner i Organizatës së Partneritetit Kriminal deklaroi që ata vodhën 10 milion paund nga taksapaguesit britanik dhe që është një nga mashtrimet më të mëdha të huasë që nga viti 2020 kur u prezantua skema ndihmëse e qeverisë britanike.
g.kosovari