Nesër pritet që të mbahen votimet në degët e PD nëpër rrethe për ratifikimin e vendimit të marrë në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, për shkarkimin e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të kësaj force politike.
Së fundmi ka qenë deputeti Agron Shehaj, i cili përmes një positmi në “Facebook” u ka bërë thirrje anëtarëve të PD në njësinë 5 dhe 7 në Tiranë të marrin pjesë në votimet të cilat sipas tij do të sjellin një lidership të ri për Partinë Demokratike.
“Të dashur anëtarë të Partisë Demokratike Dega 5 dhe 7!
Nesër zhvillohet referendumi për të konfirmuar vendimarrjen e Kuvendit Kombëtar; për lidership të ri, për parti të hapur e të fortë.
Ju duhet të vendosni për të ardhmen e Partisë Demokratike.
Votimi në njësinë 7 do të zhvillohet pranë zyrës së degës, e cila ndodhet përballë hotel Mondial në katin e 3.
Në njësinë 5, votimi do të zhvillohet pranë zyrës së degës 5, e cila ndodhet tek Kompleksi Kika 2, pallati mbrapa Aleat”, shkruan Shehaj./m.j