29-vjeçari Jurgen Duka që mbeti i vrarë gjatë mesnatës në Tiranë si pasojë e një sherri me armë nga polici Arbër Sula, ka qenë i arrestuar 1 vit më parë për llogari të Italisë.
29-vjeçari u arrestua në Korrik të vitit 2020 si pasojë e një operacionit të policisë italiane dhe policisë shqiptare për shkatërrimin e një organizate që merrej me trafikun e drogës nga vendi jonë drejt brigjeve italiane.
Në Korrik të vitit 2020, në Itali u arrestuan 14 persona, ndërsa në Tiranë 2 të tjerë si pjesë e të njëjtit operacion të koduar “Riviera”.
Pikërisht në vendin tonë, konkretisht në Bathore, u arrestua Jurgen Duka dhe në Kamëz një person i dytë i quajtur Elson Hysenbelliu. 29-vjeçari Duka ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma në datë 13 Maj 2020 me vendim të Gjykatës së Bolonjës për akuzën e prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim.
Së bashku me të arrestuarin tjetër Hysenbelliu, sipas policisë italiane, kishin rolin kyç në dërgimin e marijuanës nga Shqipëria në Itali.
Ata gjithashtu dyshohet se ndihmonin edhe shpërndarjen e kokainës me doza të vogla, nëpërmjet shqiptarëve të tjerë në zonën e Bolonjës dhe Emilia Romanga.
Jurgen Duka do të ekstradohej në Itali për t’u gjykuar lidhur me trafikun e drogës, por kjo nuk ndodhi kurrë dhe disa muaj më vonë ai u lirua dhe çështja ndaj tij u pezullua.
Tvklan.al ka mësuar se gjatë seancës për masën e sigurisë ndaj 29-vjeçarit, avokati Edmond Petraj kishte pretenduar se nuk ka patur kërkesë formale nga autoritetet italiane për caktimin e masës së sigurisë, por vetëm një kërkesë me email. Ai mohoi që klienti i tij të ketë qenë i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike. Megjithatë gjykata e vlerësoi të ligjshëm arrestimin dhe e la në qeli Jurgen Dukën me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
Ndërsa më 13 Nëntor 2020, Jurgen Duka u ekstradua në Itali për t’u përballur me akuzat e ngritura ndaj tij.
Avokati i 29-vjeçari, Edmond Petraj, thotë se disa muaj pas ekstradimit, Jurgen Duka u la i lirë nga autoritetet italiane pasi nuk u provuan akuzat e ngritura ndaj tij.
Jurgen Duka qenë i dënuar më parë për falsifikim të monedhave dhe në vitin 2016 Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 8 muaj burg. Ndërkohë, 29-vjeçari ka pasur edhe dënime të tjera për vepra të ndryshme penale. Konkretisht, Jurgen Duka ka qenë i dënuar edhe për heqje të paligjshme të lirisë dhe përndjekje në vitin 2017, për të cilat është dënuar me 4 muaj burg. Gjithashtu në vitin 2013 ka qenë i proceduar në gjendje të lirë për mashtrim dhe në vitin 2014 për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë.
/a.r