Kuvendit të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha të zhvilluar në stadiumin ‘Air Albania’, iu bashkua edhe pasardhësja e Bajo dhe Çerçiz Topullit.
Në fjalën e saj, delegatja Enkelejda Muçi falënderoi ish-kryeministrin Berisha për këtë takim, ndërsa theksoi se tashmë ka ardhur koha e Partisë Demokratike.
Nuk kanë munguar notat e humorit gjatë fjalës së saj, ndërsa ka shkaktuar edhe të qeshura tek të pranishmit. Po ashtu, ajo shtoi se PD duhet të çmohet dhe ngrihet në parimet konservatore.
“Unë jam ëndërrimtare dhe kam besim. Dita dhe momenti erdhi dhe ne nuk duhet ta lëshojmë këtë gjë të bukur që po ndodh. Ndjehem vërtet e vlerësuar sot që mu dha fjala. Ndjehem e lumtur dhe dua të ndjehem kështu për të gjitha vitet. Mbetem PD-iste dhe nuk iu hiqem qafe kurrë. Shumë miq i kam humbur ndër vite, por shpresoj që t’i rigjej prapë. Unë jam mbesa e Bajo dhe Çerçiz Topullit. Përshëndes zonjën Kokolari edhe pse nuk njihemi sepse tregoi se Gjirokastritët janë demokratë. Kam vendosur se nëse PD nuk e pranon kandidaturën time do të kandidoj si e pavarur. I kam thënë kryetarit të Bashkisë se do ta marr karrigen.
Unë gjithashtu jam mbështetëse e thekur e Trump. Më vjen keq që në PD askush nuk e mbështeti presidentin Trump dhe për këtë kam bërë debat. Shpresoj që në zgjedhjet e 2024 PD të jetë mbështetëse e Trump sepse ishte i vetmi që donte të shkatërronte lidhjet e Soros për shkatërrimin e demokracive , jo vetëm në Shqipëri. Komunistët të vrasin me plumb, por tani të vrasin non-grata. E djathta botërore po sulmohet . Ta mbajnë PD si gjënë më të çmuar që na ka mbetur në jetë dhe ta shëndoshim me parimet konservatore sepse kjo është e vetmja mënyrë për të ardhmen e Shqipërisë dhe të rinjve që nuk duan të ikin”, ka thënë ajo./m.j