Publicistikën dhe politikën kërkon t’i ketë në një kahje për të ndihmuar fiksionin me të cilin është e lidhur jeta e Flutura Açkës. Por, hyrja aktive e saj në terrenin politik përkoi me një situatë të pazakontë për PD-në deri edhe në përplasje, siç thotë ajo, fatale, “ku u harrua babai dhe biri, dhe panorama e një miqësie të ëmbël mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës…”. Deputetja demokrate e qarkut të Elbasanit përmes “Gazeta Shqiptare” tregon se brenda shtëpisë së demokratëve “kemi një qetësi të frikshme, ndërsa jashtë saj kemi një ethe në kufijtë e patologjisë, që nëse nuk drejtohet siç duhet, mund të na çojë në skizmë, për të thënë frikën më të vogël”. Sipas zj.Açka, rrymat po bëhen më të ashpra dhe ndarja, përditë edhe më e madhe. Madje, siç shprehet ajo, duket se Sali Berisha dhe Lulzim Basha janë shumë larg arritjes së një kompromisi. Ajo shpreh keqardhjen për situatën e krijuar në PD në këtë rrugëtim të deritanishëm. Flutura Açka nuk është ende e bindur nëse është penduar për angazhimin në politikë, por ajo thotë se do të ndjekë këshillën e mikut të saj, Fatos Lubonja: “Të paktën, ke rastin t’i thuash gjërat me zë të lartë dhe drejtpërdrejt shqiptarëve”.
Zj. Açka, që nga momenti i hyrjes suaj në territorin politik, a keni ndonjë breje për riskun që morët në mars të këtij viti?
Kur një njeri me karrierën vet të profiluar tashmë si artist (i fjalës, në rastin tim), merr përsipër të bëjë një hap të tillë, i duhet të mendohet gjatë, qoftë edhe për një arsye të rëndomtë: të bjerrjes së kohës tënde artistike. Politika bluan shumë energji, që nuk ia vlen asnjë kusht t’i dhurosh asaj nga arti yt. Por në rastin tim, politika dhe të qenit edhe publiciste dhe madje shumë e pranishme në debatin publik janë ingranazhe që shkojnë në një kahe dhe e ndihmojnë edhe fiksionin me të cilin është e lidhur jeta ime. Në kushtet e një Shqipërie ku emocionet politike e parakalojnë arsyen politike, përfshirja në politikë duket si mallkim. Kur e bëra hapin, besova se PD-ja do të vinte në pushtet dhe se mund të kontribuoja për të përmirësuar pak gjëra, aq sa të mundja, ose të materializoja ato pak ëndrra që kisha për kulturën dhe trashëgiminë tonë kulturore dhe historike. Në opozitë, veçmas në kushtet e një opozite përballë një muri që nuk epet, siç është regjimi që ka zënë të gjitha nyjat e shoqërisë shqiptare, kjo është e pamundur. Me këta (fashistët e sotëm) nuk mund të merresh vesh, sepse nuk ka mbetur asgjë për t’u marrë vesh. Ne jemi (siç edhe e vulosi buxheti i vitit 2022) në prag të një regjimi oligarkik. Nuk them dot ende e bindur në jam penduar, por do të ndjek këshillën e mikut tim, Fatos Lubonja: “Të paktën, ke rastin t’i thuash gjërat me zë të lartë dhe drejtpërdrejt shqiptarëve”. Edhe për kaq, nuk e vlen pendesa.
Gjatë kësaj periudhe në Partinë Demokratike, a e gjetët mënyrën për t’ju dëgjuar?
Unë nuk hyj në rrethin e ngushtë të atyre që drejtojnë PD-në sot, ndoshta ka lidhje me natyrën time pak distante, ose me një dozë rebelizmi që nuk është aq i preferuar nëpër menutë partiake. Ose mbase detyra ime – të jem pjesë e një liste të besueshme kandidimi në zgjedhje – ka mbaruar. Nuk kam asnjë lëndim nga kjo dhe mund të jetë vetëm një gjykim i sipërfaqshëm i imi. Qysh nga koha e angazhimit tim, gjërat kanë precipituar aq shpejt dhe ne kemi kaluar nga ngjarja në ngjarje, aq sa as vetëm publiku dhe media nuk ia ka dalë t’i bluajë sa duhet. Vetëm opozita sot është në fakt ngjarja e ditës. Fakti që askush nuk më imponon as më këshillon të dal në publik e të them gjëra që do “t’i bënin më mirë partisë”, do të thotë se jam dëgjuar. Nuk është pak që një parti të të japë lirinë të jesh vetvetja, këtë jua dëshmoj. Do të kisha dashur të kishim analizuar gjatë humbjen e zgjedhjeve, të shtroja disa ide të miat për ristrukturimin e bazës së partisë, për hapjen e saj në celulë dhe freskimin me një rrymë të re dhe kualitative, që e kam gjetur gjatë fushatës jashtë strukturave të saj. Por, siç ju thashë, ngjarjet kanë zënë njëra-tjetrën dhe kanë ecur më shpejt se koha jonë kalendarike, ndaj do të pres një kohë të dytë t’i them aty ku duhet ato që mendoj se nga përvoja e deritashme, duhet të them…
Çfarë po ndodh brenda dhe jashtë shtëpisë së PD-së?
Mirë e thatë, por nuk di a është shtëpi, të paktën me aq sa po duket nga këto ditë. Shtëpia jote nuk përdoret vetëm për karrierë, për t’u mbathur e veshur e për ta braktisur kur nuk të duhet më, e ta shohësh nga larg se si po shembet dhe të bësh indiferentin, siç po bëjnë shumë figura të rëndësishme, që tani kanë dalë nga politika prej asaj dere, ndryshe nga ç’hynë me këpucë shollëngrënë. Kam pritur prej tyre të thonë një fjalë, të bëjnë opozitë për tetë vite, edhe pse jashtë saj. T’ua thonë disa të vërteta drejtpërdrejt shqiptarëve, por ata kanë zgjedhur të heshtin. I detyrojnë për këtë sjellje vilat, bizneset, garderoba e shtrenjtë, qokat apo nuk kanë pse të trazohen, nuk e di. E vërteta e tyre do t’i kishte orientuar siç duhet demokratët e sotëm. Brenda shtëpisë kemi një qetësi të frikshme, që lidhet mbase me sigurinë që të jep rregulli, e drejta ligjore, institucioni. Jashtë shtëpisë kemi një ethe në kufijtë e patologjisë, që nëse nuk drejtohet siç duhet, mund të na çojë në skizmë, për të thënë frikën më të vogël. Është kthyer një frymë linçimi, fyerjesh, ndarjesh, zgjedhjeje: ose me mua, ose kundër meje! Duke mos bërë pjesë në të shkuarën e PD-së, mbase e kam me të lehtë të mos kem ethe të pozicionimit të nesërm, nuk kam asgjë për të humbur, hyra për të kontribuuar dhe do të dal kur të vendosin demokratët. Rrymat po bëhen më të ashpra dhe ndarja përditë edhe më e madhe. Ndonjëherë më duket si një betejë, po të perifrazoj Amos Oz, “e së drejtës me të drejtën”. Duhet shumë mençuri, dashuri dhe maturi për t’i bashkuar e orientuar për së mbari emocionet politike nga jashtë dhe logjikën politike nga brenda, dhe Lulzim Basha e Sali Berisha kanë një përgjegjësi të madhe historike në këtë. A e kanë ata kaq fuqi përbashkuese kur kanë derdhur kaq shumë acid në kupat kur dikur mbanin uiski?
Demokratët po akuzojnë njëri-tjetrin deri edhe te ndërrimi i bravave të derës së selisë së PD-së… A ishte e detyruar PD-ja që të kalonte përmes këtij procesi kaq të vështirë, pas përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar i PD-së?
Duhet të bëj një korrigjim në pyetjen tuaj. Nuk ishte përjashtim, ishte pezullim i përkohshëm, deri kur të zgjidhej çështja, të cilën zoti Berisha në krye të herës vendosi ta ndiqte personalisht dhe të ndarë nga partia. Por në vend të kapjes së momentit dhe për të mos i shkuar mbroth skenarit të Edi Ramës, i cili ka shumë dorëzani në shpalljen “non grata” të zotit Berisha, ndodhi pikërisht ajo që nuk duhej të ndodhte, të përdorej dëshpërimi i demokratit të thjeshtë nga humbja e radhës që pësuam.
A ka ndonjë nxitim dhe hije në vendimin e zotit Basha?
Nuk besoj, sepse edhe sikur ta kishte hedhur për votim në grupin parlamentar, ai do të kishte marrë vota të mjaftueshme për kinsepezullimin e Berishës, të cilin të gjithë e dimë, nuk e cenon aspak autoritetin dhe admirimin për të. Ai moment ishte preteksti dhe skenari që e ndoqi tashmë, që të gjithë e dimë se si rrodhi.
Kush duhet të “paguajë’ për krizën ku është futur PD-ja?
Besoj se janë të dy shkaktarët e saj, të cilët kanë dhënë para demokratëve dhe elektoratit blu panoramën e një miqësie të ëmbël me vite, ku i vjetri ka promovuar në të gjitha format të riun, kur nuk e ka ngritur kurrë zërin nga gabimet që tani përshkruhen si fatale për PD-në. Ndaj, ose t’i kthehen mjaltit të tyre, ose të gëlltisin cianurin që hodhën vetë dhe ta fusin partinë në një proces rinovimi me baza të forta. Ky është një çast historik dhe kërkon prej tyre përgjegjësi politike historike. Nuk e di në e kanë vullnetin për ta kuptuar këtë moment dhe nuk e di në kanë aq dashuri për demokratët e thjeshtë, sa ta heqin qyrkun e interesave të veta në raport me PD-në. Nga gjuha, sjellja politike, argumentet, fyerjet dhe linçimet, akuzat dhe klithmat për të elektrizuar masat, duket se janë shumë larg arritjes së një kompromisi. Partitë në demokraci i drejtojnë liderë të përgjegjshëm dhe me vizion përtej-personal dhe nuk drejtohen nga “vizioni i masave gulçuese”, po të citoj Ekon, siç po ndodh me PD-në sot. Ata që e bëjnë, pra që joshin masat deri në thirrje për gjak, ose janë mësuar në shkollën e tyre të mbrapshtë politike, ose kanë arsye vërtet thelbësore ta përdorin mërzinë publike për territore të humbura politike. Ndaj, pavarësisht se mund të lexohet si anë, unë u rri larg të dyja anëve, sepse janë ndarëse, copëtuese. Unë nuk jam pjesë e asnjë cope Partie Demokratike, unë jam demokrate.
Pas kaq kohësh, a jeni qartësuar ende se cilin Sali Berishë të besoni…?
Po, jam e qartë, e kam lënë Berishën në simpatinë time të parë, kur e shihja si modelin e një lideri, i cili jo vetëm bëri gjëra konkrete për demokracinë, por edhe politikanin, i cili edhe në kohë depresive politike dhe dëshpërimi publik, të paktën fliste për shpresën, për Europën ku do të shkonim. Ndonjëherë ishin lugë të zbrazura, por po t’i krahasosh me Ramën, me “drama queen” të politikës së sotme që drejton shtetin, atëherë kishin së paku adrenalinën që nuk i trembte shqiptarët aq sa ta braktisnin atdheun e tyre me turma. Por ka një gjë për të cilën nuk kam asnjë dyshim: një nga qeveritë më të korruptuara që kanë kaluar këtej pari në demokracinë shqiptare është ajo e vitit 2009-2013 dhe aliazhi i të djathtëve me LSI-në në pushtet. Duket në nënshtresë se ky model mund të kthehet sërish dhe nuk do të doja vetë të isha dorëzane në të. Berisha ka vendin e vet në historinë e PD-së dhe të demokracisë shqiptare dhe, edhe sikur nesër të rikthehet, s’do të mund të bëjë asgjë më shumë nga ç’ka bërë, veç nëse kalon nëpër ndonjë proces transubstantion-al. Nëse shumica kërkon Berishën, unë do ta respektoj vullnetin e tyre, por me kushtet: e para, me kushtin që të kalojë në proces institucional dhe e dyta, pasi të kërkojë purifikimin e çdo dite, e çdo vendimi politik të së shkuarës së tij politike. Pra, do të më duhet të kërkoj një Berishë të dytë, për të cilin as unë kam besim se e gjej, as vetë Berisha zor se ka kushtet ta rikrijojë. Motoja e përmirësimit të partisë është shkaku, arsyeja fle kushedi në ç’dosje që do ta marrë tranzicioni ynë i gjatë me vete.
Sipas jush, ka 1 apo 2 Kuvende Kombëtare të Partisë Demokratike?
Duket se po përgatiten dy Kuvende, nëse mund të quhen të tillë të dy. Por ka vetëm një Kuvend, ai zyrtari i datës 18 dhjetor, ku demokratët dhe elita e tyre politike, veçmas ata të pakënaqur nga drejtimi i PD-së prej z. Basha, duhet të vijnë e të kërkojnë dorëheqjen dhe votëbesimin e tij. Nuk duhet ta humbin këtë mundësi dhe të mos përsërisin sjelljen e tyre në Kuvendin e shkuar, kur vetëm erdhën për të bërë xhiro dhe as e ngriti njeri zërin, madje iu hodhën në fyt të vetmit që u ankua për falsitetin e tij, zotit Marku. Kuvendi i demokratëve mblidhet në rrugë institucionale dhe sanksionohet po ashtu, të tjerat janë puçe partiake, pavarësisht vërtetësisë së pjesëmarrësve të saj. Mënyra se si nisi, se si ndryshoi projeksion rrugës së tij nga dita në ditë, objekti që i rriti ambicien në këto dy muaj dhe madje edhe qëllimi final, është vetëm kopertura e një organizimi prej demokratëve të bazës (gjë që askush nuk e vë në dyshim), por që nuk është në shërbim të tyre. Dikujt mund t’i shkrepë në kokë të nisë një foltore të re pas një muaji dhe t’i ngrejë në revolucion demokratët sërish, por nuk ia del dot. Fakti që këtë ia doli ta bëjë Berisha nga ndjesia e lëndimit do të thotë që PD-ja në fakt nuk paska qenë një organizëm me rregulla e statute, por një ngastër private, që mund ta japësh për përdorim kur të duash dhe ta marrësh mbrapsht në rastin më të parë të keqkuptimit me përdoruesin. Të dyja palët duhet ta kuptojnë se dy Kuvende nënkuptojnë dy copëza dhe pas tyre, partia dhe populli opozitar, edhe sikur të mbetet bashkë, do të rrudhet, pasi shkundja është shumë e madhe. Kur një dikush si unë, që rri me këmbët e veta në këmbë dhe as ndikohet në idetë e veta prej simpatisë ndaj Berishës apo detyrimit e zgjedhjes nga ekipi i Bashës, ka rimorset e veta për mbështetjen, për riskun me emrin dhe karrierën e vet duke u përfshirë në armatën politike, mendoni se ç’bëhet me njerëz të tjerë.
A do të ketë besueshmëri pas kësaj PD-ja për t’u hapur ndaj njerëzve jashtë strukturave dhe figurave publike?
Druaj se jo.
Ju drejtoni Komisionin e Apelimit në PD, në njëfarë mënyre hetimin e problematikave në parti. Nëse Sali Berisha do të kërkonte të bënte apelim dhe do të vinte në komision, cilat do të ishin qasjet ndaj tij?
Po, por në këtë rast, ky komision u shpërfill plotësisht. U zgjodh rruga e rrugës. Është e drejtë e gjithkujt të zgjedhë. Nëse do të kishin ardhur në Komisionin e Apelimit, jam e bindur se do të kisha gjetur (bashkë me juristë dhe njerëz me autoritet) një zgjidhje që Kuvendi i jashtëzakonshëm i kërkuar nga strukturat të hynte në një proces plotësisht transparent dhe të kalonte nëpër hallka institucionale të përgatitjes së tij. Nëse nuk do të më lejonin ta bëja këtë, me mendimin që të kufizoja të drejtën e demokratëve për të vendosur për fatet e tyre, do të isha tërhequr nga drejtimi i komisionit dhe do ta kisha bërë publike tërheqjen time. Sekush prej nesh, veç kohës dhe përkushtimit, ka vënë në këtë satër gjykimi edhe autoritetin e tij personal. Ne të gjithë vihemi një çast në provë, do të isha vënë edhe unë, por organizatorët zgjodhën mënyrën e tyre dhe janë në të drejtën e tyre të ballafaqohen me kohën nëse ishte kjo zgjidhja e rastit.
Si e shikoni debatin për vërtetësinë e firmave të delegatëve që mbështesin kuvendin e 11 dhjetorit?
Unë e shpjegova pak a shumë më lart, se për një Kuvend të jashtëzakonshëm duhet të ishin përpunuar dhe vendosur edhe rregulla të jashtëzakonshme, për ta bërë procesin sa më bindës. Unë nuk mund të marr përsipër të faktoj vërtetësinë e firmave, pasi ato firma janë vullnete, të cilat nuk kam as fuqi dhe aq të drejtë t’i gjykoj. Çështja është se nëse do të ishte zgjedhur rruga institucionale e verifikimit të tyre, do të kishte shmangur çdo paragjykim dhe kaosin, që besoj se do ta shoqërojë procesin e verifikimit të tyre brenda pak orëve e drejtpërdrejt në Kuvend dhe nga një komision i ngritur nga pala që e ka shpallur hapur që do të marrë kryesimin e partisë. Në krye u tha se qoftë edhe një firmë e pasaktë e vë në dyshim procesin. Tani kanë dalë shumë firma të pasakta, firma të vëna në shantazh, në kushte të dyshimta, firma që janë vënë nga të njëjtën njerëz për të dyja Kuvendet. Nëse thirret një Kuvend, duhet të thirren delegatët dhe jo publik që mbush stadiumin, a thua se jemi në garat e gladiatorëve dhe presim vetëm gishtin e të parit të ulet poshtë për të kërkuar me ulërima të gjithë bashkë kryqëzimin. Mes firmëtarëve ka njerëz të nderuar, që janë të bindur se PD-ja ka nevojë për një frymë e qasje të re në opozitë dhe ngaqë asnjëri prej tyre nuk e ka fuqinë dhe autoritetin ta thërrasë një Kuvend të tillë, sollën në skenë Berishën, ose Berisha i thirri ata në skenë. Nuk e ndaj dot mirë këtë. U takon atyre edhe t’i menaxhojnë situatat, të cilat mund të precipitojnë ose në ndarjen e PD-së (skenari më i dhimbshëm), ose në kaos shoqëror (skenari më i papranueshëm). Ata kanë pjekuri të mjaftë politike ta ruajnë partinë nga ethet e tyre politike, nga tekat personale, nga hatërmbetjet vetjake, nga mirazhet e se shkuarës komode dhe joshja për postet e humbura.
A shikoni mundësinë e një kompromisi mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, me qëllim bashkimin e demokratëve kundër të vetmit kundërshtar politik, PS-së dhe Edi Ramës?
Gjuha është ashpëruar shumë javët e fundit, liderët e PD-së, seniori dhe juniori, kanë kaluar në akuza të hapura, në klithma besëprerje si në epos, tipike shqiptare, dukshëm primitive. Nuk e di se çfarë do të bëjnë këto koka të nxehta, të cilët hallin e kanë kush do ta posedojë pronën, në mënyrë që të jetë faktor politik dhe të vërë kushte. U harrua babai dhe biri, kemi vetëm skalione që vjellin zjarr dhe nga përplasja fatale do të nxjerrin një parti shumë më të vogël, që do t’i ftohë shumë edhe me popullin e paparti, i cili ka një ndjeshmëri të lartë ndaj të nxehtës, prej së cilës është përvëluar disa herë në këta tridhjetë vjet.
Si mund të zgjidhet kriza aktuale në Partinë Demokratike? Sa i vështirë është rikthimi i demokratëve në normalitet?
Vështirë ta përshkruaj se si mund të dalim nga kjo krizë, pasi palët nuk kanë ndërmend të lëvizin nga e vetja. Parashikimet janë nga më ogurzezat deri te më iluministet. Kjo e fundit do të ndodhte po të kishim një shkollë politike, ku dorëheqja është formë e higjienizimit të politikës dhe pushtetit, apo të atillë shkollë ku momentumi shihet si akt historik përtej personales dhe shkurtësisë së jetës së individit. Nuk kemi ne të tillë politikanë e liderë që të jenë njëherësh shkollarë dhe burra shteti, të urtë dhe mirësorë. Unë do të kisha këshilluar që delegatët e Kuvendit, bashkë me ata të datës 11, të mblidhen bashkë te Kuvendi i datës 18 dhjetor dhe nga aty të mos largohen pa e sjellë në binarë institucionalë PD-në, aty të kërkojnë me votë dorëheqjen e liderit të sotëm dhe votëbesimin e tij, ose hapjen e një gare të re dhe krejt transparente për lidershipin e ri. Por kjo duket se nuk mund të ndodhë, pasi sekush mendon se ka të drejtë (si në një luftë gjelash) dhe për turpin tonë, do të merremi me historira vulash e gjyqesh e së drejte, kur në fakt bazën e kemi përçarë dhe armiqësuar në mënyrë të pariparusheme./GSH
Tamam, e tregoi debilja! Mjafton vetem ti lexosh titullin, dhe e merr vesh qe kjo erdhi per t’kap noj cope si e gjith partia ku u fut!