Prej 6 ditësh një nënë e dy fëmijëve të mitur rezulton e zhdukur në Durrës, ndërkohë që familjarët japin alarmin se ajo është rrëmbyer. Kanë qenë familjarët e saj ata që kanë dhënë alarmin në polici disa ditë më parë, ku kanë bërë edhe denoncimin për zhdukjen e saj.
Vëllai i saj, Ilirjan Cauli rrëfen se motra e tij, Aureta Cauli ishte larguar nga puna ditën e hënë, ku kishte punuar vetëm 2 orë dhe më pas ishte larguar me pretendimin se kishte seancën e divorcit në Pogradec.
I riu pohon për ‘BW’ se e motra kishte marrë në telefon kushërirën e saj dhe e kishte njoftuar që të njoftonte nënën e saj, për t’i marrë një fëmijë nga çerdhja dhe tjetrin nga shkolla dhe më pas telefoni i saj rezultonte i fikur.
Pasi pritën dy ditë, familja e vajzës iu drejtua stacionit të policisë në zonën e Plazhit ku bëri denoncimin. I vëllai pohon për ‘BW’ se ditën e enjte e motra i dërgon në aplikacionin ‘Whatsapp’, dy foto ku ajo shfaqej duke marrë serum e shtrirë në një krevat spitali. I gjendur përballë këtyre pamjeve, i vëllai është paraqitur sërish në polici, ku ka treguar edhe fotot, ndërsa ka kërkuar që të bëhet lokalizimi i motrës së tij.
Ndërkohë, ai pohon se e motra kishte marrë më vonë kushërirën në telefon dhe i kishte treguar se 4 burra e kishin rrëmbyer, ndërsa kishte kërkuar që të shihte për herë të fundit fëmijët e saj, por telefonata kishte zgjatur vetëm pak sekonda dhe më pas celulari dilte i fikur.
Vëllai i gruas së zhdukur ndër të tjera akuzon policinë për mosveprim në kohë, ndërsa ai ende nuk ka një përgjigje të saktë se ku ndodhet motra e tij. Nga ana tjetër, policia e Durrësit, ka komunikuar se hetimet kanë nisur, ndërsa materialet kanë kaluar në prokurori. Policia ka kontaktuar me Urgjencën Kombëtare për të bërë të mundur lokalizimin e spitalit ku ka qenë e shtruar e reja.
Po ashtu, mësohet se policia ka ushtruar kontrolle në banesën edhe të ish-bashkëshortit të Arietës, i cili ka pohuar se nuk kishte lidhje me zhdukjen e saj. Ndër të tjera thuhet se policia ka shkuar sot edhe në Gjykatën e Pogradecit ku ishte seanca e radhës gjyqësore për divorcin e çiftit, ndërsa nuk u gjet asnjë gjurmë nga nëna e 2 fëmijëve./m.j