Nga Linda Karadaku-Emisioni Ballkan
Në vitin 2019, Serbia u bë kryefjalë duke ia kaluar Kroacisë, anëtare e NATO-s, si shpenzuesi më i madh ushtarak i rajonit të Ballkanit, duke shpenzuar 1.14 miliardë dollarë, një rritje prej 43 për qind nga viti i kaluar. Këtë vit, buxheti i mbrojtjes i Serbisë pothuajse u dyfishua nga shifra e vitit 2018, që ishte 700 milionë dollarë, duke shkuar në rreth 1.5 miliardë dollarë. Ndërkohë që pandemia u intensifikua vitin e kaluar, shumë serbë vunë në pikëpyetje prioritetet e vendit kur u raportua në nëntor se më shumë para po shpenzoheshin për armë sesa për ngritjen e spitaleve COVID. Ndërkohë, shfaqjet e fuqisë ushtarake janë bërë të rregullta. Në shtator, ndërsa uniteti serb u festua si pjesë e një feste të re kombëtare, presidenti Aleksandar Vuçiç tha se ushtria ishte “pesë herë më e fortë” se disa vjet më parë. Vuçiç paralajmëroi shpenzime më të mëdha për mbrojtjen. Pas një stërvitjeje ushtarake të qershorit në rajonin e Sanxhakut, Vuçiç tha se ushtria do të “rritej në mënyrë drastike në nëntë muajt e ardhshëm” dhe “do të ishte gjithmonë në një pozicion për të mbrojtur vendin dhe popullin”.
Politika serbe e armatimit ka bërë që disa në vendet fqinje si Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi të ndjekin me shqetësim motivet e Serbisë, veçanërisht mes thirrjeve të ministrit të brendshëm Aleksandar Vulin për formimin e një “bote serbe”. Vulin ka thënë vazhdimisht në publik dhe në mediat lokale se të gjithë serbët duhet të bashkohen politikisht nën drejtimin e Beogradit, dhe “me kalimin e kohës, në mënyrë paqësore… të bashkohen zyrtarisht”, duke sugjeruar bashkimin e të gjitha territoreve ku jetojnë serbët në Ballkan. Vëzhguesit politikë i kanë kritikuar thirrjet e tij si një version të përditësuar të ideologjisë së Serbisë së Madhe të viteve 90’të, e cila kulmoi me luftë dhe spastrim etnik në rajon. Bota serbe nuk dallon nga Serbia e Madhe, apo nga teoria famëkeqe e bashkimit të të gjithë serbëve nën një ombrellë të përbashkët.
Mercenarët e stërvitur nga Rusia në Bosnje dhe Mal të Zi janë pjesë integrale e strategjisë ushtarake serbe për rajonin. Duket se është një imitim i veprimeve të Putinit para pushtimeve në Gjeorgji dhe Ukrainë. Zyrtarët e qeverisë së Vuçiçit kanë deklaruar hapur se Serbia do të përdorë forcën ushtarake në fqinjësinë e saj, duke përfshirë kërcënimin e Vuçiçit për Kosovën kur forcat speciale të Kosovës u dërguan në kufirin verior të Kosovës. Kur tensionet u përshkallëzuan në kufirin Serbi-Kosovë për shkak të çështjes së targave, Vuçiç i dha NATO-s një ultimatum prej 24 orësh për të reaguar. Nëse nuk do ta bënin këtë, Serbia do të “reagonte”, i tha ai sekretarit të përgjithshëm të NATO-s në një telefonatë në kulmin e krizës. “Ne kemi 14 MiG-29 tani,” deklaroi Vuçiç në një talk shoë në Beograd, duke thënë se këtë ia kishte bërë të qartë zyrtarëve perëndimorë. “Ata menduan se po bëja shaka… A nuk ka Serbia të drejtë të përdorë helikopterët dhe avionët e saj në Serbinë qendrore?”
Serbisë do t’i duhej të braktiste çdo ambicie për anëtarësim në BE nëse do të vepronte ushtarakisht kundër Bosnjës ose Kosovës, por Vuçiç duket se tashmë ka hequr dorë nga përpjekjet për t’u bërë sa më shpejt pjesë e BE-së. Tensionet në lidhje me Kosovën mbeten përcaktuesi i vetëm më i rëndësishëm i sigurisë kombëtare për Serbinë. Se ku po shkon saktësisht politika e mbrojtjes serbe është një pyetje një milion dollarëshe. Shumica e dokumenteve planifikuese dhe strategjike të Serbisë mbeten të fshehura nga syri i publikut ose nuk ekzistojnë.
Rritjet e buxhetit ushtarak bëhen “ad hoc” në përputhje me interesat e politikës së jashtme. Për më tepër, Forcat e Armatosura dhe armatimi i Serbisë keqpërdoren vazhdimisht në ushtrime dhe parada pompoze të transmetuara në nivel kombëtar, të ndjekura nga fushata të tabloideve, për të konsoliduar pushtetin dhe për të fituar më shumë vota, por edhe për të shënuar në lojëra gjeostrategjike. Në vitin 2021, shpenzimet e mbrojtjes së Serbisë arritën në 2.6 për qind të prodhimit të përgjithshëm bruto të saj, padyshim jashtë normës së vendit dhe mbi mesataren, veçanërisht për Evropën. Bilanci ushtarak në rajon po ndryshon, gjë që ka ndikim në perceptimet kudo. Midis viteve 2015 dhe 2021, shpenzimet e mbrojtjes të Serbisë u rritën me rreth 70% duke shkuar në 1.4 miliardë dollarë në vit. Rusia dhe Bjellorusia i kanë dhënë Serbisë dhjetë avionë mig-29.
Rusia i ka dhënë 30 tanke dhe transportues të blinduar të personelit dhe i ka shitur një sistem të mbrojtjes ajrore. Beogradi ka blerë dronë të blinduar kinezë, helikopterë rusë dhe një sistem raketor francez tokë-ajër. Këtë muaj ministri i mbrojtjes njoftoi se Serbia po negocionte për të blerë aeroplanë transporti dhe helikopterë nga Airbus. Muajin e kaluar, u njoftua se Serbia ishte në bisedime me Izraelin për të blerë raketa antitank. Dronët turq, të cilët u përdorën nga Azerbajxhani dhe patën efekt shkatërrues kundër forcave armene vitin e kaluar në Nagorno-Karabakh, mund të jenë në listën e blerjeve. Industria e mbrojtjes e Serbisë po prodhon gjithashtu pajisje të reja, përveç prodhimit të më shumë armatimeve të epokës jugosllave.
Pas luftërave jugosllave të viteve 1990 kapaciteti ushtarak i Serbisë ishte në rënie. Por në vitin 2014 qeveria vendosi të riarmatosej. Ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë tregoi se epoka e luftës konvencionale në Evropë nuk kishte përfunduar; dhe në Serbi, përmbytjet e atij viti, rezultuan të ishin një “thirrje zgjimi”. Ata zbuluan se vendi nuk kishte pothuajse asnjë helikopter për misionet e kërkim-shpëtimit. Për më tepër, gara e tyre e armatimit, ishte me Kroacinë, e cila, në vitin 2015, i kërkoi Shteteve të Bashkuara që ta furnizonin me raketa të cilat, nëse do të hidheshin drejt Serbisë, mund të arrinin thellë brenda vendit.
Serbia shpenzon tani më shumë në terma absolutë se më parë, por shpenzimet e saj të mbrojtjes si pjesë e PBB-së kanë lëvizur rreth 2% që nga viti 2005. Krahasuar me Bullgarinë, Hungarinë ose Rumaninë, kjo është sa një “kikirik”, ka deklaruar Vuçiç. Por serbët nuk ishin në luftë me Bullgarinë, Hungarinë apo Rumaninë në vitet 1990. Ata ishin në luftë me fqinjët që tani kanë buxhete më të vogla ushtarake. Serbia ia kalon Shqipërisë, Bosnjës, Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut së bashku, sipas “The Economist.” Beogradi tejkalon gjithashtu Kroacinë, e cila po blen avionë francezë për të rivendosur kapacitetin e saj ajror pothuajse inekzistent.
Nëse Serbia thjesht do të modernizonte forcat e saj të armatosura, askush nuk do ta kishte problem. Është konteksti që vendos alarmet. Bosnja është përsëri në mes të trazirave politike dhe Milorad Dodik, udhëheqësi serb i Bosnjës, sugjeroi më 14 tetor se nëse pjesa e tij e Bosnjës do të ndahej dhe do të pasonte dhuna, Rusia do të ndërhynte për ta mbrojtur atë. Tabloidët e kontrolluar nga qeveria e Serbisë vazhdimisht shpallin se lufta me shqiptarët e Kosovës apo kroatët është e afërt. Por gjithsesi, rëndësia e vërtetë e riarmatimit të Serbisë është më shumë politike sesa ushtarake. Marrëveshjet e dukshme të armëve u bëjnë përshtypje mbështetësve të Vuçiqit, të cilët priren të kenë respekt të veçantë për forcat e armatosura.
Por Serbia është efektivisht e rrethuar nga NATO. Duke pasur përballë një aleancë të madhe që mbron fqinjët e saj të vegjël, Serbia ka shumë pak gjasa të dërgojë ushtarët e saj në veprim në të ardhmen e parashikueshme. Serbia ka marrëdhënie të mira me NATO-n dhe SHBA-të trajnojnë trupat serbe.
Serbia është i vetmi vend në Evropë me lidhje të ngushta ushtarake me ushtrinë, policinë dhe sektorin e sigurisë me qeverinë kineze. Në vitin 2019, Serbia nisi patrullime të përbashkëta policore me oficerë kinezë në disa qytete serbe me arsyetimin për të rritur sigurinë dhe për të pasur një lidhje midis policisë serbe dhe turistëve të shumtë kinezë. Që kur një memorandum mirëkuptimi u nënshkrua në të njëjtin vit midis ministrive të brendshme të Serbisë dhe Kinës, Beogradi ka zbatuar një projekt të quajtur “Qyteti i sigurt” i cili përfshin mijëra kamera me teknologjinë e njohjes së fytyrës të cilat janë instaluar në Beograd.
Në qershor të këtij viti, Parlamenti Evropian shprehu shqetësimet e tij për mbikëqyrjen masive në Serbi nga teknologjia Huawei e prodhuar nga Kina, ndërkohë që Beogradi nuk kishte miratuar paraprakisht masat e duhura legjislative për t’u ruajtur nga çdo abuzim i shkeljeve të privatësisë. Si një shenjë e qartë e thellimit të lidhjeve ushtarake, në vitin 2020 Serbia bleu sistemin kinez të mbrojtjes ajrore FK-3 dhe gjashtë mjete ajrore pa pilot në dislokimin e parë të tillë në Evropë. Serbia u bë gjithashtu vendi i parë në Evropë që po eksportonte nga Kina pajisje të aviacionit ushtarak. Vëzhguesit rajonalë paralajmërojnë se shitja e armëve kineze për Serbinë mund të përshpejtojë një garë rajonale të armatimit. Dhe ndoshta, shumë më shumë së kaq.