Në vitin 1997, Irene Pivetti, ish-kreu i Parlamentit italian, skandalizoi opinionin publik me deklaratat e saj mbi emigrantët shqiptarë. “Klandestinët shqiptarë duhet të hidhen sërish në det. Dhe po iu përgjigjën forcave të rendit, anijet e tyre duhet të fundosen”.
Një fjali për të cilën ish-politikania e votuar nga Lega Nord në krye të Parlamentit ka deklaruar se është penduar, por që e ka ndjekur si damkë për gjithë historinë saj politike, të mbyllur praktikisht në 2001, kur nuk u rizgjodh si deputete.
Nga ai moment, karriera e saj ka kaluar faza të ndryshme dhe të paparashikueshme, nga moderatore në televizion, tek sipërmarrja, ku ndër të tjerat ishte nga të parët që në Itali u mor me importin e maskave anti-covid nga Kina, ku nuk munguan pezullimet për parregullsi të ndryshme sipas autoriteteve doganore.
Por sot agjentët e Guardia di Finanza italiane janë paraqitur sërish përballë saj duke i sekuestruar asaj dhe bashkëpunëtorit të saj, ish-pilotit Leonardo Isolani, duke i sekuestruar rreth 4 milionë euro dhe tre makina luksi të tipit Ferrari.
Sipas autoriteteve, dy personat kishin gënjyer shtetin duke mos paguar taksa nga shitja e disa mjeteve luksoze në vende të ndryshme, nga Hong Kong në Britaninë e Madhe, Poloni dhe Spanjë, që kalonin pronësi falë disa shoqërive anonime fiktive, të krijuara nga Pivetti.
Autoritetet akuzojnë Pivetti-n dhe bashkëpunëtorët e saj, 5 persona që ende janë në kërkim për pastrim parash dhe shmangie taksash.
g.kosovari