Nga Fatos Tarifa
Një “republikan” i Tiranës në Uashington (si buffoonery)
Çfarë shakaje!
Si ministër i Mbrojtjes në kabinetin e kryeministrit Nano, Pandeli Majko bëri një vizitë pune në Uashington në maj të vitit 2003. Në atë vizitë ai shoqërohej nga dy anëtarë të parlamentit shqiptar, Fatmir Xhafa i Partisë Socialiste dhe Fatmir Mediu i Partisë Republikane, në atë kohë në opozitë.
Me Fatmir Xhafën ishim miq të vjetër dhe kemi mbetur miq edhe sot e kësaj dite. Më erdhi mirë që do të kisha rast të isha me të për disa ditë.
Fatmir Mediun nuk e kisha njohur para se të emërohesha ambasador në Uashington, por asnjëherë s’e kam fshehur se ky njeri nuk më ka pëlqyer as si politikan, as si person.
Sa herë që ai vinte në Uashington—me ose pa arsye, por më shumë pa asnjë arsye, në çdo stinë të vitit dhe për çdo trill të tij, me shpenzime që e bënin të dyshimtë burimin e tyre—e shihja (të më falë lexuesi që nuk gjej dot një fjalë më të mirë) me një farë përçmimi.
Ardhja e tij në Uashington në majin e vitit 2003, si pjesë e një delegacioni zyrtar të kryesuar nga ministri i Mbrojtjes, edhe pse kjo nuk më takonte mua ta gjykoja, ishte diçka pa kuptim. Në opozitën shqiptare të kohës, Partia Republikane që ai kryesonte ishte një faktor krejt i papërfillshëm dhe Partia Demokratike mund të përfaqësohej në atë delegacion me një prej figurave qendrore të saj.
Unë kisha arritur të kuptoja në atë kohë—dhe për këtë më vinte më shumë keq se sa habi—se ky njeri, Fatmir Mediu, u kishte shtënë “trutë e gomarit” një numri polikanësh socialistë, të cilët, edhe pse ishin më inteligjentë sesa ai, e mbanin Mediun pranë vetes thjesht për të bërë ndonjë udhëtim me të në Uashington.
Sepse, në Tiranë, Fatmir Mediu e mbante veten si “beniaminin” e republikanëve në Kongresin amerikan. What a joke!
Parlamentar “pa protokoll”
Kur u takova me ministrin Majko mëngjesin e ditës së parë të vizitës së tij në Uashington biseduam një copë herë rreth programit të vizitës dhe nisëm veprimtaritë e ditës. Një ndër takimet më të rëndësishëm të ministrit Majko ishte ai me Zëvendëssekretarin e Mbrojtjes Paul Wolfowitz, me të cilin bashkërisht nënshkruan një marrëveshje dypalëshe për parandalimin dhe mospërhapjen e armëve të dëmtimit në masë, si dhe për promovimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushën e mbrojtjes.
Në dallim nga maturia dhe serioziteti i Fatmir Xhafës, ato ditë ranë edhe më shumë në sy mentaliteti provincial dhe pafytyrësia e Fatmir Mediut. Ky person, në atë kohë thjesht një anëtar i Parlamentit shqiptar, në bisedimet zyrtare me përfaqësues të Pentagonit, pa filluar takimi u ul në tryezë në krahun e djathtë të ministrit Majko.
Për këdo që ka disa njohuri elementare mbi etiketën dhe protokollin diplomatik, dihet se, në takime zyrtare ose në takime pune, në krahun e djathtë të eprorëve të tij (presidentit të vendit, kryeministrit apo ministrit të jashtëm, ose edhe të një përfaqësuesi të lartë të qeverisë), ulet ambasadori i akredituar në atë vend.
Ndërsa Fatmir Xhafa, një burrë serioz dhe i lexuar, priti në këmbë që t’i sugjeroja unë se ku do të duhej të ulej, Fatmir Mediu u ul, siç vura në dukje, në krahun e djathtë të ministrit Majko.
Viktor Isaku, atasheu ynë ushtarak në Uashington, i cili ishte marë me përgatitjet për atë takim, më tërhoqi mënjanë për të më thënë se Mediu nuk mund të ulej në krahun e djathtë të ministrit. “Mos u shqetëso”, i thashë, “nuk do të rrijë atje”.
Pa filluar ende takimi me përfaqësuesit e lartë të Pentagonit, iu afrova Fatmir Mediut dhe, me mirësjellje, i thashë se duhej të ngrihej nga vendi ku ishte ulur, pasi protokolli e kërkon që në krah të djathtë të ministrit ulet ambasadorit. Mediu refuzoi dhe Majko i doli në krah.
“Fatos, ulu në krahun tjetër”, më tha.
– “Zoti ministër”, i thashë, “unë mund të ulem edhe diku tjetër, por bëhet fjalë për rregulla protokollare, të cilat Fatmir Mediu nuk mund t’i shkelë. Është mirë, madje, që këto rregulla t’i njohin e t’i zbatojnë edhe politikanët e tjerë shqiptarë”.
– “Por, nuk prish punë”, tha Majko, “bisedime janë”.
– “Këto janë bisedime zyrtare, z. ministër, dhe nuk është serioze të thyejmë protokollin zyrtar të takimeve të tillë. Ambasadori duhet të ulet në krahun tuaj të djathtë dhe atasheu ushtarak, në këtë rast, në krahun e majtë”.
Mediu, sjellja megalomane e të cilit më është dukur gjithnjë groteske, përsëri nuk lëvizi nga vendi. Kjo më detyroi që, në prani të ministrit Majko, t’i thoja:
– “Z. Mediu, nëse jeni sado pak i arsyeshëm dhe nuk doni të dukeni qesharak para gjeneralëve të Pentagonit, duhet të më lironi vendin të ulem”.
Kryetari i Partisë Republikane u ngrit me një fytyrë të zymtë dhe u ul pa thënë asnjë fjalë në krah të Viktor Isakut, ndërsa Fatmir Xhafa u ul përkrah meje.
Nuk do të kisha dashur ta rrëfeja këtë ngjarje nëse do të ishte fjala për një rast të vetmuar. Por, Fatmir Mediu, siç dëshmoj më poshtë, ishte një recidivist.
Në bisedimet e asaj dite u ra dakord nga të dyja palët që, në të ardhmen, përpjekjet e përbashkëta të fokusoheshin në arritjen e tri objektivave kryesorë, siç ishin rritja e kapaciteteve të Shqipërisë për të përmirësuar ndërveprimin e forcave ushtarake të vendit tonë me ato të vendeve anëtarë të NATO-s, mbështetja e mëtejshme amerikane për reformën në fushën e mbrotjes dhe për modernizimin e forcave të armatosura të Shqipërisë, si dhe forcimi i kontrollit të kufijve tokësorë dhe detarë të vendit tonë për të rritur vigjilencën ndaj elementëve apo grupeve terroristë dhe efikasitetin në luftën kundër trafiqeve të jashtëligjshëm.
Një takim në Kongres!
Fill pas atij takimi, Mediu e tërhoqi Majkon veçmas. U kuptua qartë se po përgatitej për një “komplot” të ri. Unë dhe Viktori e vumë re. – “Prit përplasjen e radhës”, i thashë atasheut ushatarak.
Majko u kthye nga unë dhe më tha:
“Ambasador, do të shihemi pasdite në pritje”.
Atë mbrëmje, ambasada do të jepte një pritje për nder të ministrit të Mbrojtjes Pandeli Majko, në të cilën ishin ftuar të merrnin pjesë atashetë ashtarakë të vendeve të NATO-s dhe të vendeve të grupit Vilniut-10.
“Viktori dhe unë kishim planifikuar t’u jepnim sot një drekë juve dhe mysafirëve që kanë ardhur me ju nga Tirana”, i thashë Majkos, “dhe këtë ju e dinit”. – “E lëmë për një herë tjetër, Fatos”, tha Majko, “sepse tani kemi një takim në Kongres”.
Një takim në Kongres! – “Unë nuk jam në dijeni të ndonjë takimi në Kongres, z. ministër”, i thashë. “Në programin e vizitës suaj nuk është planifikuar një takim i tillë”.
– “E ka rregulluar Mediu”, tha Majko.
Ishte pikërisht ajo çfarë kisha marë me mend kur i thashë Viktor Isakut “prit përplasjen e radhës”.
– “Z. Majko”, i thashë ministrit të Mbrojtjes, “nuk është aspak e udhës që një anëtar i kabinetit qeveritar të shkojë në Kongresin e Shteteve të Bashkuara i pashoqëruar nga ambasadori i vendit të tij. Kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë”.
Arrogant, siç ishte, ndërhyri Fatmir Mediu: “Kjo është një vizitë private. Ministrin e kanë ftuar disa kongresmenë, ndërsa ju nuk keni ftesë”. Pastaj u kthye nga Majko:
“Pandi, jemi vonë, duhet të shkojmë”.
Aty për aty më erdhi ndër mend aforizmi latin, llegitimi non carborundum, të cilin e kisha lexuar mbi tryezat e zyrave të disa senatorëve dhe anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve në anglisht: Don’t let the bastards grind you down (Mos i lë bastardët të të vënë poshtë). Ai ishte një moment kur ai aforizëm bënte vërtet kuptim.
I thashë Fatmir Mediut:
– “Z. Mediu, nuk po flisja me ju, por me ministrin e Mbrotjes. Në këtë kryeqytet, Shqipëria ka një ambasadë dhe një ambasador. Ky ambasador nuk jeni ju, jam unë. Është detyra dhe përgjegjësia ime t’i shoqëroj anëtarët kryesorë të qeverisë shqiptare dhe të kujdesem për ta kur vizitojnë zyrtarisht, ose për arsye pune Uashingtonin, siç është edhe rasti në fjalë. Ju mund të jeni marë vesh me ndonjë prej atyre kongresmenëve republikanë pleq që njihni në Dhomën e Përfaqësuesve për ta takuar ministrin e Mbrojtjes, por kjo nuk j’u jep të drejtën të bëni axhendën e tij në Uashington”.
Pandeli Majko duket e kuptoi pozitën e vështirë në të cilën ishte vënë dhe më tha: – “Ambasador, eja edhe ti me ne”.
“Por ai nuk është i ftuar”, i tha Majkos Fatmir Mediu.
– “Z. Mediu”, iu ktheva unë sërish, këtë herë pa u përpjekur ta fsheh zemërimin tim. “Për cilindo zyrtar të lartë shqiptar që hyn në cilëndo ndërtesë të Kongresit, ftesat për ata që e shoqërojnë atë i bën ambasadori i Shqipërisë, pra i bëj unë, jo Fatmir Mediu”.
Jo takim në Kongres, por lutje në kishë
Çfarë ndodhi më pas atë mesditë me ministrin Majko në “Kongres” ishte diçka që vetëm Erazmi mund ta përshkruante—një “madhështi e marrëzisë” së një lloji të veçantë. Mediun, Majkon dhe Xhafën i pritën katër a pesë anëtarë të moshuar të Dhomës së Përfaqësuesve. Prej tyre unë njihja vetëm njërin, Frank Wolf, republikan nga Virginia, me të cilin isha takuar dy a tri herë, por për të cilin nuk kisha ndonjë konsideratë të veçantë. Përpiquni për një çast të përfytyroni skenën e atij “takimi” dhe si mund të jem ndier unë, si një diplomat, si një profesor i shkencave sociale dhe si një ateist.
Një dhomë e vogël, e njohur si “Congressional Prayer Room”, pranë Rotundës së Kapitolit, që shërben si një vend lutjesh për ata anëtarë të Kongresit që besojnë dhe duan të luten, në kërkim të një force hyjnore, e cila t’i udhëheqë ata në çështjet publike dhe në jetët e tyre private.
Drita frymëzuese e asaj dhome vjen nga një dritare me xham dekorativ shumëngjyrësh, në qendër të së cilës është figura e presidentit George Washington duke u lutur në gjunjë. Rreth figurës së tij lexohen fjalët e Psalmit 16:1: “Më ruaj, o Zot, sepse te ti kam besim” (Preserve me, O God, for in thee do I put my trust).
Mbi atë figurë lexon fjalët e Abraham Lincoln-it “Ky komb nën Zotin” (This Nation Under God). Një Bibël, që zakonisht mbahet e hapur në faqen me Psalmin 23, qëndron në altarin poshtë dritares. Dy stola për ata që luten, gjashtë karrige, lule, dy qirinj dhe një flamur amerikan janë orenditë e vetme në atë dhomë.
Meqenëse kjo dhomë nuk është e hapur për publikun, ose për ata që vizitojnë Kapitolin, shpresoj që përshkrimi i mësipërm t’i japë lexuesit një ide se përse bëhet fjalë. Një dhomë lutjesh.
Pikërisht në atë dhomë e futi Fatmir Mediu ministrin e Mbrotjes Pandeli Majko. Kjo ishte “vizita” e një anëtari kryesor të qeverisë shqiptare në Kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe lutja në atë chapel pjesë e “misionit” të tij.
Jam i sigurt se, nëse Pandali Majko ka bërë vërtet atë ditë ndonjë lutje në atë dhomë, lutjet e tij nuk i kanë shërbyer qëllimit për të cilin, si ministër i Mbrojtjes i Shqipërisë, ai kishte ardhur ato ditë në Uashington dhe as e kanë ndihmuar vendin tonë të anëtarësohej në NATO.
Hipokrizia dhe “lutjet” e Fatmir Mediut aq më pak, siç u provua më vonë me tragjedinë e Gërdecit, vepër kriminale e tij. Unë jam i bindur se miku im, Fatmir Xhafa, duhet të ndier në një pozitë të vështirë, si edhe unë, nga gjithçka ndodhi në “Kongres” atë ditë. Xhafa ishte dhe mbeti një politikan dinjitoz dhe luftëtar, jo një zvarranik politik, si Mediu, që i ngjitej kujtdo që ishte më i fuqishëm sesa ai.
Mëngjesi i Lutjeve
Mëngjesi i Lutjeve (National Prayers Breakfast) është një veprimtari që zhvillohet në Uashington një herë në vit (gjithnjë të enjten e parë të muajit shkurt). Ai është organizuar për herë të parë në vitin 1953 dhe, qysh nga vitet 1980, zhvillohet në hotelin Hilton, në Connecticut Avenue NW, vetëm 200 metra larg nga selia e ambasadës së Shqipërisë në kryeqytetin amerikan.
Mëngjesi i lutjeve organizohet në sallën e madhe të ballove në atë hotel dhe frekuentohet çdo vit nga rreth 3,500 vizitorë, kryesisht vendas dhe disa nga vende të botës së tretë.
Atë e shtrojnë një grup anëtarësh të Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe organizohet, në emër të tyre, nga një organizatë e krishterë—The Fellowship Foundation. I pari president amerikan që ka marë pjesë në një veprimtari të tillë ka qenë Dwight D. Eisenhower; çdo president tjetër amerikan pas tij ka qenë i ftuar në të.
Deri në vitin 1970 kjo veprimtari ishte quajtur “Presidential Prayer Breakfast”; emri i saj u ndryshua në “National Prayer Breakfast” pas atij viti. Gjatë katër viteve që shërbeva si ambasador i Shqipërisë në Uashington mora pjese në Mëngjesin e Lutjeve vetëm dy herë, në vitin 2002, kur presidenti Bush do u drejtohej me një mesazh të ngrohtë familjeve të viktimave të tragjedisë së 11 shtatorit 2001, dhe në vitin 2004, për të shoqëruar në atë mëngjes lutjesh Presidentin Alfred Moisiu.
Ai mëngjes i stërgjatë, në një sallë të superpopulluar, me njerëz që vinin “të luteshin” nga më shumë se njëqind vende të botës, më është dukur kurdoherë gjëja më pak interesante dhe joracionale në atë qytet të jashtëzakonshëm e racional.
Por ja që presidentëve postkomunistë shqiptarë dhe një grupi politikanësh e parlamentarësh nga Tirana ai mëngjes lutjesh u dukej një ngjarje e madhe dhe shumë e rëndësishme.
Thuajse të njëjtët njerëz e vizitonin Uashingtonin çdo vit, në fillim të shkurtit, për të ngrënë mëngjesin 3-orësh në Hilton. Më i zellshmi ndër ta—dhe ai që nuk mungoi kurrë ta hante atë mëngjes—ishte Fatmir Mediu. Ky njeri e bëri Mëngjesin e Lutjeve karremin e vizitave të tij të përvitshme në Uashington.
I lidhur pas dy-tre anëtarëve republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve, burra të moshuar dhe besimtarë fetarë, të cilët i kishte “bindur” se Partia Republikane që ai drejtonte në Tiranë ishte “simotra” e GOP (Grand Old Party)—Partisë Republikane në Shtetet e Bashkuara—nuk ishte e vështirë që Mediu të siguronte dy-tri ftesa për atë Mëngjes Lutjesh.
Përmes atij Mëngjesi Lutjesh, Mediu u përpoq të krijonte në Tiranë përshtypjen se ai kishte njohje dhe influencë në kryeqytetin amerikan dhe në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.
Kur më vizitoi një herë në zyrë, në Uashington, në vitin 2002, ky njeri, i pangopur për pushtet, nuk ngurroi të ma pohonte “ëndrrën” e tij për t’u bërë ambasador i Shqipërisë në atë kryqytet. Unë thjeshtë i thashë se do i duhej të priste për disa kohë.
Presidenti Moisiu, Mediu dhe “Ata”
Dy javë më vonë, në shkurt të atij vitit, i paduruar që të vizitonte kryeqytetin amerikan sa më parë, Presidenti Alfred Moisiu zgjodhi Mëngjesin e Lutjeve si sebep për të ardhur në Uashington.
Sigurisht, Fatmir Mediu ishte pjesë e eskortës që e shoqëroi kreun e shtetit në atë udhëtim, për të cilin askush në administratën amerikane nuk tregoi ndonjë interesim të veçantë.
Ajo vizitë e parë e Presidentit Moisiu në Uashington nuk ishte as një vizitë shtetërore, as një vizitë zyrtare, as një vizitë pune. Ajo ishte thjesht një vizitë private, pavarësisht programit që kishte përgatitur për të ambasada shqiptare në Uashington.
Me sa dukej, i pamësuar ende me rregullat e protokollit diplomatik, kreu i shtetit kishte marrë me vete në atë udhëtim një “menaxher teknik”, Fatmir Mediun.
Ky njeri ishte më provinciali ndër politikanët shqiptarë që kam njohur sa u përket, sa i përket veshjes dhe sjelljes dhe, siç vura në dukje edhe më sipër, normave dhe rregullave protokollare që administrojnë marrëdhëniet diplomatike.
Mbrëmjen që Presidenti Moisiu mbërriti për të parën herë në Uashington, për të marrë pjesë në Mëngjesin e Lutjeve, ambasada e Shqipërisë kishte organizuar një darkë për nder të tij në restorantin “La Tomate”, në Connecticut Avenue, vetëm 300 metra larg hotelit Hilton, ku do të qendronte kreu i shtetit. Presidentit dhe këshilltarëve të tij u ishte bërë i njohur në detaje paraprakisht programi i vizitës së tij në Uashington, përfshirë edhe darkën e asaj mbremjeje.
Por, kur unë shkova ta marr zotin Moisiu në hotel, në paradhomën e suitës së tij gjeta Mediun, i cili më tha se presidenti kishte të tjera plane atë mbrëmje dhe nuk do të shkonte në darkën që shtronte ambasada shqiptare.
I njëjti avaz i “republikanit” Mediu! I thashë se programin e Presidentit të Shqipërisë në Uashington e bëja unë dhe askush tjetër. Ndërkohë Presidenti Moisiu erdhi në paradhomë. I kujtova zotit Moisiu se ishte koha të shkonim për darkën e njoftuar dhe të rezervuar për 15 persona, por ai më tha se ishte ftuar për darkë nga një mik i Mediut.
Siç kishte ndodhur edhe herë tjetër, në shtatorin e një viti më parë, në Nju York, kur këshilltari i Presidentit Moisiu, z. Muhamet Kapllani, e kishte këshilluar shefin e tij që të mos takohej me Nënsekretarin e Shtetit Marc Grossman, mora sërish guximin që t’i thoja kreut të shtetit:
“Zoti President, unë jam përfaqësuesi juaj në Shtetet e Bashkuara, si dhe personi që përgjigjet për programin, sigurinë dhe mirëqenien tuaj në territoin e këtij vendi, prandaj nuk më lejohet që t’ju kem për asnjë çast jashtë vëmendjes”.
I vrazhdë në fytyrë, Presidenti Moisiu më tha: – “Por kjo është një çështje private, ambasador dhe, në fund të fundit, unë e di vetë se ç’bëj”.
– “Pa dyshim, zoti President”, i thashë, “ju mund të bëni ç’të doni në kohën tuaj të lirë por, ndërkohë, pesëmbëdhjetë njerëz po ju presin për darkë dhe ju keni qenë i informuar me kohë për programin e kësaj mbrëmjeje”.
– “Ambasador, të thashë edhe një herë se unë e di vetë se çfarë bëj”, tha Moisiu.
Unë insistova sërish: – “Zoti President, detyra që më është besuar më obligon t’ju këshilloj për atë se çfarë është e dobishme dhe e këshillueshme të bëni në Uashington dhe çfarë nuk është e tillë. Për sigurinë tuaj, si kreu i shtetit, janë marë masa të forta dhe një grup oficerësh të sigurisë, siç e vini re, j’u ruajnë dhe j’u mbrojnë çdo sekondë.
Atyre u është vënë në dispozicion programi i vizitës suaj me të gjitha detajet e tij dhe kjo darkë me një njeri të panjohur për ne, që e paska planifikuar zoti Mediu, nuk bën pjesë në programin tuaj. Unë e kam të vështirë t’ia shpjegoj grupit të sigurisë se ku është planifikuar të shkoni dhe, për më tepër, t’ju shpjegoj se pse unë nuk do të jem pranë jush”.
Presidenti u kthye nga Fatmir Mediu:
“Fatmir, si do të bëjmë?”
– “Ju jeni Presidenti dhe ju e dini vetë se ç’bëni”, i tha Mediu, “por nuk duhet të vonohemi se ata na presin”.
Vetëm Fatmir Mediu e dinte se cilët ishin “ata”. Cilëtdo që të ishin, “ata” nuk kishin asnjë punë me Shqipërinë, interesat e së cilës në Shtetet e Bashkuara i përfaqësoja dhe i mbroja unë si ambasadori i vendit tim.
“Ata” mund të ishin edhe njerëz, të cilët, me ndërmjetësinë e një politikani si Fatmir Mediu—dhe në një darke të mbajtur sekret ambasadorit të Shqipërisë në Uashington—mund ta kompromentonin kreun e shtetit dhe të cënonin intreresin kombëtar.
Sigurisht, kreu i shtetit e dinte vetë se ç’bënte. Ai më kërkoi t’u njoftoja oficerëve të sigurisë se presidenti kishte ndërruar planin për atë mbrëmje dhe se do të shkonte “diku tjetër”, jo në “La Tomate”. Mediu u tregoi atyre destinacionin e ri, ku i prisnin “ata”, “miqtë” e tij, ndërsa unë u takova me Presidentin Moisiu të nesërmen në mëngjes.
***
I përmenda këta episode sepse gjithnjë më ka bërë përshtypje se sa “të lidhur”, për të mos thënë “të varur”, kanë qenë politikanët e lartë shqiptarë nga “menaxherë” të tipit Mediu, karakterin dhe fytyrën e vërtetë të të cilit duket qytetarët shqiptarë i kanë njohur më mirë se politikanët socialistë në opozitë me të.
*Këto fragmente janë shkëputur nga vëllimi Afrimi i madh, i cili përmban kujtimet e diplomatit dhe akademikut Fatos Tarifa nga periudha kur ai shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vëllimi pritet të botohet së shpejti. (Dita))