Nga Bajram Peçi
“Katarsis” i Nanos, ndërmarrë para 20 vjetësh për ”pastrimin e të keqes” dhe “Foltorja” e Berishës sot, po shpjegohen në forma dhe mënyra të ndryshme. Zëdhënës të PD-së e barasvlësojnë si aksion të njëjtë ndërsa zëdhënës të PS-së e kundërshtojnë njesimin: s’kanë lidhje-thonë ata! Në të vërtetë, të dy palët tregohen të njëanshëm. Po të ishin të paanshëm, do të shihnin se të dy aksionet politike fshehin shpirtin diktatorial të individit që e ka ndërmarrë? Në të dy rastet, si Nano “liberali” dje ashtu dhe Berisha sot, kanë në thelb të aksionit kërkimin e votëbesimit. Metoda që përdori i pari dhe kjo që po përdor i dyti, detyron pjesë të partisë t’i nënshtrohen vullnetit të tij. Nano, falë burgut, përdorur si koracë, ja mbërriti qëllimit ndërsa Berisha ka shumë shpresa se falangat besnike, klanore e patrialkale, do ta sjellin përsëri në krye të partisë, ku ka qenë kryetar disa mandate.
Kur PD u themelua mbështetur në parime demokratike, si normë statuore u vendos “jo më shumë se dy mandate”. Në momentin që sheh se Sali Berisha, duke u ngashëryer e kërkuar falje ithtarëve të tij, që nuk e kish ndërmarrë më parë këtë hap, kthimin triumfal në krye të partisë, të trajtuar si pronë e tij, të ndërmendet se ai po fshin prapanicën (ndjesë lexuesit) me statutin, siç rëndom kish vepruar në mori rastesh të tjera. Të njëjtën gjë me statutin ka bërë dhe Basha, i cili ka djegur dy mandate, ka humbur tre palë zgjedhje dhe kurrë si shkoi ndërmend se duhej të dorëhiqej, siç statuti fillestar parashikonte!
Largimi nga parimet demokratike të statutit, nuk është se ndodhi tani. Ai u shfaq që në vitet e para të lindjes. Shkaku lidhej si me kreun ashtu dhe anëtarësinë, prej nga ku vreheshin qartazi se për ta ushtruar demokracinë duhej ta kuptoje atë, të kishe të njohura nocionet bazë të lirisë në demokraci. Në të vërtetë, çfarë ndodhi:
Të persekutuarit nga komunizmi kanë qenë një forcë përcaktuese në lëvizjen e Partisë Demokrattike. Një pjesë e kësaj shtrese të vuajtur kërkoi rehabilitimin njerëzor, familjar, drejtësi e rivendosjen e dinjitetit të nëpërkëmbur. Një pjesë tjetër, përpos këtyre, i fryu urrejtjes. Me apo pa diktatin e tyre, me të njëjtin natyrë që kish kultivuar bolshevizmi, ushtruan dhunë e filluan persekutimin e kundërshtarit. Shprehja e Berishës në ditët e para të pushtetit, “Opozitarë, por vëllezër”, u harrua. Si fillim u kujdesën që t’i ngrinin monument qëndrimit antidemokratik se “Kundërshtari është armik”. Kjo u zbatua nga Berisha dhe vazhdon të zbatohet sot e gjithë ditën nga Basha
Kundërshtari “armik” u pa si brënda partisë dhe jashtë saj, te kundërshtari politik. Brënda partisë demokracinë e përdhosën kur u përjashtuan pothuaj gjithë elita e partisë sepse mendonin ndryshe nga Sali Berisha. “Mocionistët”, me përcaktorët fyes, që Berisha i ka aq për zemër, u quajtën “karrigethyer” dhe u flakën tutje, madje disave ju kërcënua edhe jeta.
Kjo është koha kur shihet shkoqur se Partia demokratike e ka braktisur demokracinë, e ndodhur nën diktatin e të parit të partisë, e më të fortit. Mund ta kundërshtoje Berishën me argumente demokratike, por nuk mund të fitoje mbi antidemokratin, sepse ai ishte më i forti i Partisë. Dhe, si shëmbull nga historia: vetëm në demokraci bolshevike sundon më i forti, demokracia nuk e njeh sundimin. Mos u rrekni kërkoni shpjegim tjetër sepse është humbje kohe!
Jashtë partisë, te kundërshtari-armik, antidemokracia u shfaq te dënimi arbitrar i kryetarit të partisë më të madhe opozitare, Fatos Nanos. Nën kujdesin e vet Sali Berishës, organet e drejtësisë, prokurori e gjykatë, jo vetëm ishin të politizuara, por u mbushën me militantë, të cilët e kishin për nder dhe kënaqësi të plotësonin një urdhër berishist antidemokratik për të ndërmarrë vendimin e burgimit. Në rastin e tij s’përbënte fare problem stisja e motivit të dënimit.
Se sa demokratike ishte Partia Demokratike ndihmon t’i kthesh gjegje pyetjes nga këndshikimi në marrëdhënje me pronën private dhe atë publike? Me apo pa ligje, u pa të zbatohen e vendosen sisteme të dhunshme të trajtimit të saj. “Tokë e xanun” ishte prologu i një drame, që vëndi vazhdon ta vuajë. U nxit si veprim, doli jashtë kontrollit, siç më pas doli jashtë kontrollit administrimi i pronës shtetërore dhe vjelja e konsumit të mallit energji elektrike-ujë, etj.
Dhe erdhi momenti kur demokracia në Partinë Demokratike u zëvendësua me autokracinë berishjane. Anëtarësia e duartrokiste sistemin autoritar, idem si në shoqëritë patrialkale. Qeveritë e dala prej Partisë Demokratike, me vulletin e tyre krijuan Gërdecin, 21 janarin, shefi i saj transferoi me bollëk ndikim e influencë për pasurimin e anëtarëve të familjes dhe rrethin e tij e bëri sa mundi të lërë pas një ekonomi të sëmurë, të pashëndetëshme. Kryedemokratët e saj po i shohim sot të ndajnë në parcela Partinë Demokratike, secili për hesap të tij, secili me kuvendin e tij. As që e vrasin mëndjen pse po e thërrmojnë partinë, askush brënda saj nuk ka personalitetin që t’u tregojë të dyve vendin e kjo nuk është e rastit?! Nuk është lejuar të formohen të tillë, një rrezik ky që kërcënon edhe Partinë Socialiste.
Kaq demokratike ishte dhe është Partia Demokratike!