Janë identifikuar dy viktimat e atentatit të kësaj të shtune në zonën e Asitit në Tiranë. Ata janë Erigers Mihasi dhe Armando Dumani, emra këto të njohur për drejtësinë. Erigers Mihasi është arrestuar në vitin 2019, pasi dyshohet se ka qenë një prej autorëve të grabitjes me armë të banesës së prindërve të Elton Çiçës në Tepelenë.
Arrestimi i tij është bërë në Yrshek të Tiranës. Ai fitoi pafajësinë për këtë krim dhe u lirua disa muaj më pas. Po ashtu, emri i tij del edhe në sulmin me armë ndaj kompleksit “Eiffel”, ku Mihasi u raportua si një nga bashkëpunëtorët e sulmit. Ai njihej si mik i ngushtë me Santiago Malkon, ish-policin që u vra më 27 gusht të vitit 2019.
Ndërsa edhe viktima tjetër, Armando Dumani, njihej si një person me precedent penal. Ai mësohet se ka kryer grabitje në një bankë të nivelit të dytë, nën kërcënimin e armës. Kujtojmë se atentati ndodh rreth orës 19:30 në Astir të Tiranës. Dy viktimat ishin duke udhëtuar me mjetin tip “Audi” ku u bënë “shënjestër” të plumbave.
Autorët pas ngjarjes, dyshohet se janë larguar drejt zonës së Ish Shqiponjës. Ndërkohë policia ka ngritur pika kontrolli dhe po këqyr kamerat e sigurisë, me qëllim identifikimin dhe kapjen e tyre./m.j