Identifikohet dhe viktima e dytë e atentatit me armë zjarri mbrëmjen e sotme në zonën e Astirit në Tiranë. Burime për Panorama.al është ekzekutuar Armando Dumani.
Dumani nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare. Ai është arrestuar më parë pasi dyshohet se është autori i dyshuar i një sërë vjedhjesh me armë në filiale bankash në qytetin e Vlorës.
26-vjeçari ka qenë në anën e pasagjerit në automjetin tip “Audi” ndërkohë që në anën e shoferit ishte 32-vjeçari Erigers Mihasi i cili gjithashtu mbeti i vrarë në këtë atentat.
Ata janë qëlluar me breshëri kallashnikovi nga persona ende të paidentifikuar. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30 në zonën e njohur si “2 rrathët” në Unazën e Re.
Autorët menjëherë pas ngjarjes, janë larguar në drejtim të ish-sheshit Shqiponja.
Armando Dumani, Sokol Dhima, Arlind Hitaj dhe Arbër Katiaj, dyshohet të kenë vjedhur nën kërcënimin e armëve filialin e “Raiffeisen Bank”, në datën 8 mars të këtij viti, ku plagosën me armë edhe një nga punonjësit e sigurisë. Po ashtu, ata dyshohet të jenë autorë të vjedhjes me armë të filialit të “Pro Credit Bank”, në 26 prill të vitit të kaluar, duke marrë prej saj vlera të konsiderueshme monetare, ndërkohë që kanë realizuar edhe të paktën 5 vjedhje të tjera të kësaj natyre, mes të cilave lokalin e lojrave të fatit kazino APEX në tre raste, kazino ADMIRAL, lokalin e eurollotos “Bet 07”, lokalin e lojërave të fatit “Ecco BETT”, etj, ku kanë përvetësuar përmes kërcënimit të armëve vlera monetare, duke plagosur në dy raste edhe punonjës të sigurisë në to.