Nga Lorenc Vangjeli
Gazmend Bardhi është padyshim një nga katër – pesë figurat më të rëndësishme të opozitës. Jo për shkak të funksionit, por sepse është nga personazhet më të artikuluar në PD-së.
Me yllin që i ndezi Basha mbi kokë, siç kishte bërë me atë vetë Berisha, Bardhi u identifikua katër vjet më parë kur u bë ministër drejtësie për pak kohë mbas marrëveshjes së majit 2017.
Katapultimi i tij në krye të PD-së është shoqëruar me pak faulle dhe hije që kanë nevojë të ndriçohen. Më i rëndësishmi ndër ta, roli i tij në qarkun e Elbasanit si drejtues politik, është ende për t’iu verifikuar. Përfshirja e tij naïve në prologun e skandalit Babale, nuk e bën me faj, sepse ai doli shpejt prej tij sapo kuptoi mekanizmin qesharak të mashtrimit publik.
Në pjesën tjetër ishte krejtësisht korrekt dhe u bë shpejt një “gjah” gazetarësh sepse bënte lajm, ishte polemist dhe gjente argument edhe kur i duhej të zbardhte djallin. Nëse PD do të kishte fituar zgjedhjet në prill, sot ai me të gjitha gjasat do të ishte një nga ikonat e kabinetit Basha.
Për fat të Edi Ramës nuk ndodhi kështu. Dhe sot, në vend të piedestalit të pushtetit që e priste, po të lundrohet në botën virtuale të opozitës, vihet re lehtësisht se ai është shënjeshtra e dytë kryesore e “Friendly Fire”, zjarrit miqësor të armiqësive brenda PD-së; bashkë me Bashën, është tabela e preferuar të goditjeve nga njerëzit e Berishës.
Nga dje në mbrëmje, edhe nën sulmin e kryqëzuar nga ish-aleatja LSI. Me një reagim të shpejtë që dëshmon edhe njëherë se sapo është prekur nervi i zbuluar, aty ku ju dhemb të gjithëve në opozitë.
Gazmend Bardhi preku temën më të nxehtë të debatit që çuditërisht nuk bëhet. Ai foli për kryearsyen e humbjes në 25 prill: mungesën e kohezionit në opozitë. Bardhi fajësoi LSI-në për oreks të shtuar elektoral: “Ju afruam 15 mandate të sigurta në listë, ata pretendonin se merrnin vetë 35 të tillë”, tha ai.
Kryetarja e LSI-së Kryemadhi u përgjigj menjëherë se ky ishte” “…Një mashtrim pervers që kalon çdo limit njerëzor dhe që i shërben vetëm Ramës dhe hijes së tij”.
Kjo është shenja se marrëdhëniet e ngrira mes dy partive kryesore në opozitë, do të vijojnë të jenë të tendosura. Njëlloj si në të gjithë këtë vit, kur përpara zgjedhjeve, ishte e lehtë të vihej re se distanca mes Bashës nga njëra anë dhe Kryemadhit (dhe Metës), ishte më e madhe se distance që ata kishin me vetë Ramën.
Pavarësisht arsyeve dhe pjesës së fajit reciprok, opozita duhet fajësuar në bllok që ishte e paaftë të bënte në realitet atë që premtonte me pompozitet, që nuk arriti të siguronte kohezion mes pjesëve të saj. Ajo duhet ende të ndjejë peshën e fajit që strategjitë dhe taktikat e saj në politikë, rezultuan të gjitha idiote në rastin më të mirë dhe “kolaboracioniste” me qeverinë në rastin më të keq.
Eshtë ndoshta rast unikal në dynja, që opozita të punojë një gjysmë mandati në favor të qeverisë që kërkon të përmbysë.
Po të gjykohen aktet e opozitës në bazë të rezultatit që ato kanë prodhuar, ky do të ishte përfundimi edhe qesharak, edhe i papritur i lëvizjeve pa bosht ku të mbështeteshin, pa drejtim ky synonin dhe pa qëndrueshmërinë që premtonin. Qoftë kur bëhej fjalë për djegien e mandateteve, qoftë për bojkotin e zgjedhjeve lokale apo bojkotin e tryezës për reformën zgjedhore.
Sot mund të rikthehet në kujtesë deklarata kontraverse e Presidentit Meta që tha se në rast humbjeje të zgjedhjeve nga PD-LSI, ai do të kthehej të merrte drejtimin e opozitës, për të kuptuar se ndarja dhe jo bashkimi, ishte oferta që i afronte blloku opozitar shqiptarëve në 25 prill.
Gazmend Bardhi është aksioner në të gjithë aksionin e opozitës, por jo fajtor kryesor. Ai deri më tani ka mundur të verë gishtin në plagë – mungesa e një fronti opozitar – pavarësisht se është e diskutueshme diagnoza që vë.
Ai sot po denigrohet, fyhet, mallkohet dhe është fajtor për palën tjetër në PD dhe për ish-aleatët në opozitë sepse është në opozitë. Me një rezultat të ndryshëm në 25 prill, me të do të flitej ndryshe dhe të gjithë do ta shihnin ndryshe.
Fitimtarit i falen të gjitha, por ai është në rradhën e humbësve dhe duhet të durojë gurë e drurët që i hedhin kryesisht ata që duhet ta respektonin jo vetëm për shkak të pozicionit zyrtar në parti. Ky është momenti që Bardhi po gabon.
Ai po tenton të sillet si Basha Bis, pavarësisht se duhet të kuptojë se vetë Basha që është sjellë në gjithë këto vite si Berisha Junior, ka humbur çdo garë në epilog. Dy herë kopje të së njëjtës gjë, më së paku dëshmojnë mungesë fantazie.
Sinqeriteti pastaj, nuk është histori që bën hajër në politikën shqiptare dhe Gazmend Bardhi, nuk mund të nxijë ndryshe dhe më mirë të ardhmen e tij në politikë, përveçse duke thënë gjysmë të vërteta.