Nga Greta Malaj
Evropa po përballet me atë që Organizata Botërore e Shëndetësisë e quan rrezikun e një vale të katërt të koronavirusit. Me rastet e shtuara të infektimeve dhe me rritjen e numrit të viktimave COVID, shumë shtete evropiane kanë shtrënguar masat anti-COVID, duke vendosur jo vetëm orë policore, por detyrimin për certifikatë vaksinimi në shumë ambiente publike.
Në Shqipëri, autoritetet shëndetësore e quajnë nën kontroll situatën me COVID-19.
Edhe pse po përballemi përditë me raste të infektimit të fëmijëve, që kanë çuar deri në mbylljen e disa shkollave në vend, dhe përhapjen zinxhir të infektimit në institucione të tjera, siç janë rastet edhe në burgje, Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk ka ndryshuar asnjë masë në vend.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu foli për mundësinë e vendosjes së certifikatës së vaksinës për të hyrë në bar-restorante, megjithatë në Shqipëri nën hundën e autoriteteve, shumë lokale e clube qëndrojnë të hapura edhe natën, përtej orës policore që vijon të mbetet 23.00, dhe në shkelje të rregullave mbrojtës të distancimit e mbajtjes së maskës.
Të rinjtë i sheh në turma nën ritmet e muzikës e alkolit të pashqetësuar nga autoritetet, që njëherazi i kanë vendosur me detyrim vaksinimin jo për luks e argëtim siç janë lokalet, por për dijen: të shkuarit në universitet.
Stadiumi i mbushur plot, në Shqipëri, i bën të gjithë të flasin kur tifozët hedhin shishe uji ndaj lojtarëve, por askush nuk ka sy të shohë rrezikun që u vjen për jetën. Po në Shqipëri, foltoret e betejave politike të një ish-kryeministri që kërkon sërish pushtetin, komentohen nga analistë e politikanë nëse po e “copëtojnë” ose jo një parti në përpjekjen e saj për të bërë opozitë. Por të gjithë bëhen të verbër, se si në salla plot, njerëzit pa distancë e pa maska, kthehen në vatër të përhapjes së pandemisë.
Ata që vërtetë duhet të punojnë për të mbijetuar, për të siguruar bukën e gojës së familjarëve të tyre, në biznese e fabrika që nuk u mbyllën as në ditët më të errëta të pandemisë, sot kanë probleme me punonjës të sëmurë masivisht, të infektuar diku nga një pakujdesi, e diku tjetër pse jo, nga zhinxhiri i papërgjegjëshmërisë sociale që edhe kur bota flet për vdekje, ushqimin e gjejnë tek politika e futbolli. Paradokse këto që gjejnë vend vetëm në Shqipëri.
Pa gjetur aftësinë për të zbatuar në terren urdhrat e shkruar në letër (orën policore, mbajtjen e maskës në ambiente të mbyllura, grumbullimet në takime elektorale, stadiume, autobusë), Ministria e Shëndetësisë kaloi në një tjetër stad: Dozën e tretë dhe vaksinimin e fëmijëve. Ky i fundit deri më tani shihet i dështuar, derisa autoritetet nuk kanë guxuar ende të nxjerrin një shifër se sa fëmijë janë vaksinuar me Pfizer nga 1 nëntori kur nisi të zbatohet urdhri. Një dështim që nuk guxon të flasë askush, e nga ana tjetër nuk e përkthejnë në një fushatë masive sensibilizuese me arsye të qarta përse prindërit duhet t’i marrin përdore fëmijët e t’i cojnë të vaksinohen në qendra shëndetësore.
Shembullin më të mirë të seriozitetit me të cilin duhet përballuar pandemia, në Shqipëri e gjejmë në Parlament, me ligjvënës që debatet dinë t’i përqëndrojnë vetëm në akuza politike dhe me fytyra zbuluar (pa maska), që flasin e qeshin, argumentojnë e akuzojnë, duke harruar se ata të parët, janë në shkelje të ligjit. Sepse në Shqipëri, ndryshe nga shumë shtete të tjerë të një bashkëjetese sociale e demokratike, i fortë është kush nuk zbaton ligjin.