Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) ka nisur një inspektim ndaj punonjësit të policisë që shtyu operatorin e A2 CNN, Endrit Aga, dhe gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha, të cilët rrezikuan të përfundojnë në greminë, ndërsa po mbulonin operacionin e Policisë në Dajt, për nxjerrjen e trupit të biznesmenit të vrarë Ruzhdi Hoxha.
“Në vijim të lajmit të publikuar në disa media, në lidhje me sjelljen jo korrekte të disa punonjësve të policisë me përfaqësues të mediave, e në veçanti me gazetaren Anila Hoxha gjatë raportimit të një ngjarjeje kriminale, SHÇBA njofton se ka nisur një inspektim për zbardhjen e plotë të rrethanave, si dhe vënien përpara përgjegjësisë të punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë shfaqur sjellje jo etike e konform detyrës”, lexohet në njoftimin e SHÇBA-së.