Deputeti dhe Kryetari i FRPD Belind Këlliçi ka reaguar pas vendimeve dhe deklaratave të Bashës, i cili e trajtoi mungesën e zgjedhjeve në forume si një letargji të qëllimtë.
Në postimin e tij në Facebook, Këlliçi ka sqaruar demokratët se ‘ka qenë kryetari Basha që ka sugjeruar shtyrjen e procesit të zgjedhjeve për shkak të tërmetit shkatërrues të Nëntorit 2019 dhe aksionit tonë në terren për t’iu gjendur afër qytetarëve’.
Postimi i plotë:
FRPD dhe LDG janë organizata partnere të PD-së. Secila vepron me statutin e saj dhe riorganizohet nëpërmjet votës së lirë, e jo prej vullnetit personal të kryetarit të partisë.
Ndihem i keqardhur që kryetari Basha e trajtoi mungesën e zgjedhjeve në FRPD si një letargji të qëllimtë nga ana jonë.
Dëshiroj të sqaroj anëtarësinë e FRPD dhe të PD, si dhe të gjithë demokratët brenda dhe jashtë vendit, se ka qenë kryetari Basha që ka sugjeruar shtyrjen e procesit të zgjedhjeve për shkak të tërmetit shkatërrues të Nëntorit 2019 dhe aksionit tonë në terren për t’iu gjendur afër qytetarëve.
Gjithashtu, prej karantinës dhe masave shtrënguese anti-Covid19 që paralizuan lëvizjen e lirë dhe veprimtaritë ekonomike, sociale e më gjerë.
Me nisjen e vitit elektoral 2021, na u kërkua prej tij të përqëndronim të gjithë energjitë tona në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 25 prillit, ku i tërë forumi rinor u angazhua në çdo qytet, lagje, rrugicë e fshat, për të fituar zgjedhjet dhe për të bërë Kryeministër Lulzim Bashën.
Jemi të hapur për riorganizimin e brendshëm të FRPD, menjëherë sapo PD të zgjidhë problemet e veta me mendimin ndryshe në parti. Gjëja e fundit që i shërben PD në këto momente është një përçarje e rradhës mes të rinjve apo zonjave demokrate.