Rama tha se Vuçiç për herë të parë e nënvizoi publikisht që Kosova është e ftuar dhe është e mirëpritur të ulet në tryezë. Rama u shpreh se Kosova do të ulet me të drejta të barabarta dhe ku askush nuk do t’i imponohet askujt për asgjë dhe secili bën atë që do.
Ndër të tjera Rama u shpreh tryeza e Ballkanit të Hapur nuk është si tryeza e procesit të Berlinit, as si tryeza e Këshillit Europian ku po nuk deshi njëri, të tjerët duhet të rrijnë të ngrirë apo duhet të presin derisa të shkrijë ai që nuk do.
Pjesë nga Intervista:
Çfarë diskutoni me Vuçiç për Kosovën, përtej asaj që ne shohim në konferencë për shtyp?
Për herë të parë ai e nënvizoi publikisht që Kosova është e ftuar dhe është e mirëpritur të ulet në tryezë. Kështu që në këtë aspekt nisma është e qartë qysh në krye të herës që normalisht ishte gati për të filluar më përpara por që unë asnjëherë nuk e kam rënë dakord që nisma të fillojë pa marrë dakordësinë e plotë dhe të qartë nga ana e presidentit të Serbisë që kjo është një nismë gjithpërfshirëse ku Kosova do të ulet me të drejta të barabarta dhe ku askush nuk do t’i imponohet askujt për asgjë dhe secili bën atë që do.
Nëse Kosova hyn në ‘Open Balkan”, vendimet si do t’i merrni? Me veto?
Jo nuk ka nevojë për veto. Tryeza e Ballkanit të Hapur nuk është si tryeza e procesit të Berlinit, as si tryeza e Këshillit Europian ku po nuk deshi njëri, të tjerët duhet të rrijnë të ngrirë apo duhet të presin derisa të shkrijë ai që nuk do. Është një tryezë e hapur, principet janë aty dhe është një njësi zbatimi e procesit të Berlinit. Pra të thuash që unë e dua Procesin e Berlinit por që Ballkani hapur është një nismë pa vizion, është të mos kuptosh procesin e Berlinit ose të bësh sikur mos kuptosh Ballkanin e Hapur.
A do e pranonte Vuçiç të ishte flamuri i Kosovës në tryezë?
Flamujt nuk mund të jenë pengesë sepse ne kemi bërë takime me praninë e të gjithëve, kudo. Kemi bërë takime në Bruksel, ku janë ulur të gjithë bashkë, edhe Serbia edhe Kosova. Kemi bërë takime edhe në Washington ku janë ulur të gjithë bashkë. Dhe meqë kam parë që kanë qënë disa të shqetësuar se si ka mundësi që të haet darke me këta…ju them se darka kanë ngrënë të gjithë me këta dhe me ata. Pra nuk është hera e parë, dhe ne nuk jetojmë në një vend siç është bota e sotme ku diskutimi bëhet: a ha darkë a s’ha darkë sepse rëndësi ka çfarë thuhet dhe debatohet e diskutohet aq më tepër pastaj që nëse I referohemi historisë, nëse I referohemi situatave të ngjashme…nuk na jep historia ne ndonjë rast kur konfliktet e trashëguara nga një luftë si ajo luftë e përgjakshme prej së cilës doli Ballkani, prej së cilës doli edhe Kosova, të jenë zgjidhur duke I qëndruar me kurriz njëri-tjetrit. Kur u bë marrëveshja historike mes izraelitëve dhe palestinezëve dhe kur Isakra Bini dhe Jaser Arafat, dy armiq të egër të njëri-tjetrit për nuk e di sesa dekada dhe patjetër me shumë histori gjaku në kurriz, qëndruan për ditë të tëra duke ngrënë dreka e darka dhe duke gatuar për njëri-tjetrin madje derisa arritën në një zgjidhje. Kështu që këto janë mënyra për t’iu shmangur thelbit. Dhe thelbi është që ne duam ta çojmë përpara çështjen e shqiptarëve duke çuar përpara rrugën drejt të ardhmes. Rruga drejt të ardhmes nuk është duke i qëndruar me kurriz nga e ardhmja, por është rruga e shikimit në sy të së ardhmes duke mos e harruar asnjëherë të kaluarën.