Lidhur me skeçin humoristik të grupit “Stupcat” natën e ndërrimit të moteve, ka reaguar Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. OVL –ja thotë se është e indinjuar me institucionet e Republikës së Kosovës për shkak të mosveprimeve, pasi sipas saj nuk është hera e parë që shkelet dhe përdhoset lufta për liri e UÇK-së.
Më poshtë shihni reagimin e plotë të OVL të UÇK-së:
Organizatat e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ka përcjellë me shqetësim skeqin humoristik të humoristëve Stupcat, që u dha në KTV natën e ndërrimit të motmoteve, dhe njëkohësisht shprehet e indinjuar thellë me Institucionet e Republikës së Kosovës për shkak të mosveprimeve të tyre sepse nuk është hera e parë që shkelet e përdhoset lufta jonë për liri, dhe vlera më e madhe e saj Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Me këtë lloj humori, brenda të cilit nuk kishte asgjë të vërtetë me UÇK-në, shihet tendenca e televizionit që e ka transmetuar, sepse edhe humoret duhet ta kenë një kufi e sidomos duhet të kenë kujdes televizionet se çfarë i paraqesin publikut. Vlerën e UÇK-së që nga paslufta janë munduar që t’ia humbin me arrestime, montime të proceseve gjyqësore politike, etiketime e shpifje si nga vendorët e po ashtu edhe ndërkombëtarët, por e ritheksojmë se janë të kota përpjekjet e kujtdo qofshin sepse vlera e saj ka hyrë në analet e historisë.