Deri në fundjanar ka përgjigje për vizat, sipas Thaçit. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi vlerëson se, marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe nënshkrimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi janë tanimë përgjegjësi e shtetit të Kosovës, në raport edhe me bashkësinë ndërkombëtare. Ai ka folur edhe për liberalizimin e vizave.
Në një intervistë për Top Channel, Thaçi ka thënë se Qeveria do të respektojë mendimin e Gjykatës Kushtetuese për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, i cili – sipas Thaçit, – në asnjë rrethanë nuk do të ketë karakter ekzekutiv, legjislativ apo të pushtetit të tretë. Kështu që, Thaçi fton partitë opozitare që të pranojnë mendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të mos kërkojnë zgjedhje.
“Sa i përket zgjedhjeve, kjo nuk është çështje individuale apo partiake. Edhe unë kam qenë në opozitë dhe shpeshherë kam shpresuar se, në muajt në vijim do të mund të mbaheshin zgjedhje, por nuk ndodhte ashtu. Kështu që duhet të mësohemi përfundimisht që, duke mos ua humbur shpresat opozitarëve, ne duhet të mësohemi të respektojmë afatet kushtetuese dhe ligjore për organizimin e zgjedhjeve, ato lokale në vjeshtën e vitit 2017 dhe ato të përgjithshme në qershor të vitit 2018”, tha Thaçi.
Pas 17 viteve në krye të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi është i bindur se marrëveshja e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës do të zbatohet në tërësi dhe ai, në muajt e parë të vitit 2016 do të zgjidhet President i Kosovës.