Avokati Lavdosh Shehu, i arrestuar për akuzën e ndikimit të paligjshëm ka ankimuar vendimin e gjykatës së posaçme të shkallës së parë që ka vendosur për të masën e sigurisë “arrest në burg”.
Klan News ka siguruar kërkesën e Shehu në Gjykatën e Apelit, ku avokati kërkon lirinë duke argumentuar se nuk e ka kryer veprën penale të ndikimit të paligjshëm.
Nga ana tjetër Prokuroria thekson në dosjen hetimore se në bazë të kallëzimit të bërë nga nëna e Fatos Hysenit dhe materialeve të marra nga emisioni investigativ Stop në Tv Klan, krijohet dyshimi i arsyeshëm së Shehu ka konsumuar elementë të veprës penale ushtrim ndikimi i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
Sipas prokurorisë Shehu kishte kërkuar 12 mijë Euro nga familje e Fatos Hysenit në mënyrë që të bënte transferimin e dënimit të Hysenit nga Italia në vendin tonë. Lavdosh Shehu i kishte siguruar familjarët se kishte njohjet e duhura në Ministrinë e Drejtësisë. Prokuroria thekson se avokati u kishte marrë atyre fillimisht një shumë prej 5 mijë Eurosh në vitin 2020 ndërsa pjesën tjetër do ta merrte kur të kryente punën.
/a.r