Komisioni i Ligjeve ka miratuar me 13 vota pro dhe 6 kundër projektligjin për bashkëqeverisjen që parashikon kalimin e ankesave dhe kërkesave të qytetarëve online, duke hequr nga funksioni zyrat për ankesat.
Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj kërkoi shfuqizimin këtij ligj duke deklaruar se ka për synim vendosjen e pushtetit lokal nën tutelën e qeverisë.
Tre orët e gjata të diskutimit u reflektuan edhe në fund të mbledhjes, kur relatorja e Komisionit Klotilda Bushka ngatërroi nenet dhe menjëherë u kërkoi ndjesë anëtarëve duke theksuar se nuk mund të shohë më nga sytë.
Diskutimet në komision
Enkelejd Alibeaj: Me dispozitat e këtij ligji doni ta vendosni pushtetin lokal nën tutelë. Nuk ju shpëton as ajo që ju thatë me dëshirë. Edhe kur të bëhen zgjedhjet lokale disa do jenë pro qeverisë, disa kundër qeverisë. Nuk duhet t’u nënshtrohen kontrollit prej qeverisë. Edhe hapësira që krijohet për përfaqësuesit politikë të të njëjtës ngjyrë me maxhorancë nuk duhet të krijojnë marrëveshje ndërmjetësimi. Të dyja këto dispozita duhen shfuqizuar.
Klotilda Bushka: Nuk shoh ku është cenimi i autonomisë vendore.
Enkelejd Alibeaj: I jepni të drejtë një zyre politike që do ngrihet pranë kryeministrit që do kontrollojë administratën që kjo të jetë shpata kryeministrore që pret çdo kokë, edhe tuajat. Pret çdo kokë që guxon të zbatojë ligjin. Drejtësinë tashmë e bën partia e futur në një strofull në kryeministri. Të gjitha, duhet të shfuqizohen nen për nen.
Shkojnë aty sa thonë që zyrat për marrëdhëniet me publikun pushojnë së ekzistuari. Sepse i kanë konsideruar këto zyra vetëm si pritëse të ankesave të shkuara me shkrim dore. Është goditja më e fortë që i jepet transparencës dhe llogari dhënies. I hiqni, gjithçka e centralizuar. Do dalë Rama nesër do thotë, me një click në telefonin tuaj bëni ankesën. Ti do marrë përgjigje vetëm para zgjedhjeve. Neni 62, aktet nënligjore duhen shfuqizuar. Ky ligj nuk duhet të ekzistojë.
Klotilda Bushka: Neni 59 flet për ankesat që duhen hedhur në sistem. Neni 60 flet të gjitha zyrat e pritjes për popullin do vijë një moment do mbyllen. Gjithë Europa po shkon drejt shërbimit online. Nuk ka ecajake. Është çështje mentaliteti. Jo çdo gjë si e mendojmë ne, mund ta pranoni ju. Neni 62 miratohet sipas propozimit të relatores. Po flasim për 63-in. Nuk po shoh më nga sytë. Ndjesë se nuk po më shohim më sytë
Enkelejd Alibeaj: Për sa kohë kemi kërkuar që ky ligj të shfuqizohet nuk ka sens./m.j