Barack Obama do të ndërmarrë veprime të njëanshme për zgjidhjen e problemit nevralgjik të dhunës së armëve në vend.
Në fjalimin e parë të përjavshëm të 2016-s, Presidenti amerikan bëri të ditur se do të takohet me kryeprokuroren Loretta Lynch, për të diskutuar mbi hapat që do të hedhë në këtë drejtim.
Argumenti i shefit të Shtëpisë së Bardhë në mbështetje të vendimit të tij është se, Kongresi dështoi ta zgjidhë vet këtë ngërç.
Ekspertët presin një reagim të ashpër të republikanëve dhe mbështetësve të armëmbajtjes. Por Obama u tha amerikanëve se, ka marrë aq shumë letra nga prindër, mësues e fëmijë, sa e ka të pamundur të qëndrojë duarkryq përpara shqetësimit të tyre.
“E dime fare mirë se nuk ndalojmë dot çdo akt dhune. Por, po sikur të përpiqeshim të ndalonim qoftë edhe një të vetëm? Po sikur Kongresi të bënte diçka, çfarëdo lloj gjëje për të mbrojtur fëmijët tanë nga dhuna e armëve?”, tha Obama.
Obama e pranon se, paaftësia për të siguruar mbështetjen e Kongresit, në kalimin e atij që e konsideron “legjislacion i logjikshëm për armët”, është pika më e dobët e Presidencës së tij.
Korrespondentët e huaj thonë se Presidenti mund të përdorë autoritetin e tij ekzekutiv në disa fusha, përfshirë zgjerimin e verifikimeve për ata që kërkojnë të blejnë armë.
Kundërshtia, që do të hasë në planin e tij ka për të qenë për çdo rast e madhe. Aq popullore janë armët në Amerikë sa, në periudhat festive, njerëzit i blejnë për dhuratë, ndërsa në Teksas një ligj i ri i lejon vendasit të mbajnë pistoleta në brez, duke e treguar kështu hapur faktin që janë të armatosur.