Miss Universe Kosova, Shkurtesa Sejdiu, ka bërë një rrëfim të rrallë për jetën e saj familjare dhe private. Tuti, pseudonimi që prindërit i vunë kur ishte ende e vogël, për shkak se ishte frikacake, zbuloi se në moshën 13-vjeçare është përdhunuar dhe trafikuar nga disa persona në Kosovë e Serbi.
Në një intervistë për “Glamour Zone”, Tuti tha se kurorën që ka marrë së fundmi, ia kushton familjes së saj, e cila ka sakrifikuar shumë për të.
“Arsyeja që kam ardhur në Miss Universe janë familja ime. Kam aplikuar, kam ardhur dhe nuk e kam besuar që jam fituesja. Kjo kurorë i dedikohet vetëm familjes time që kanë sakrifikuar shumë për mu, e vazhdojnë që të sakrifikojnë”,- tha ajo.
Tuti zbuloi se i vetmi person që mungoi në eventin e organizuar për të pas ftores së madhe ishte i ati. Kjo sepse pasi ai kërkoi drejtësi për vajzën, e burgosën.
“Kur vendosa ta ndaj historinë me publikun nuk ka zgjat as katër ditë dhe babi është liru nga burgu dhe është shumë mirë. I kam qëndru afër gjatë gjithë kohës që kur ka dalë nga burgu, Prandaj nuk kam dhënë asnjë intervistë për këtë çështje dhe kjo është hera e fundit që flas për këtë se institucionet po merren me çështjen. Ka qenë çështje javësh që nuk takohesha me babin”,– rrëfeu ajo.
Tuti tha se në moshën 13-vjeçare është rrëmbyer, përdhunuar dhe trafikuar nga disa persona. Interpoli e gjeti në Serbi dhe kontaktoi familjen e saj për t’i thënë se ishte gjallë dhe mirë.
“Në moshën 13-vjeçare jam përdhunu e jam trafiku nga persona të ndryshëm nga Kosova në Serbi, derisa prindi jem nuk ka lënë institucion pa kërkuar drejtësi. Ata njerëz që janë munduar me ma marrë mua jetën, ata sot janë në liri, nuk janë në burg.
Vetë fakti që ata po bredhin ende lirshëm, tregon se kanë lidhje me shtetin. Interpoli më ka gjet në Serbi, jo në Kosovë. Ata kanë pasur obligim me më gjet mu e me më kthy te familja. Familja ka ardh më ka marrë. Nuk kam pas dijeni, kam qenë në jetimore, se Interpoli nuk ka mujt me më kthy direkt në Kosovë, se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka qenë e lehtë me u bo.
Familja ime në bashkëpunim me Policinë kanë ardh në Serbi, në jetimore dhe më gjetën. Ka qenë shumë e vështirë, por momenti më i lumtur i jetës sime ka qenë kur në orën 7 të mëngjesit vjen një fëmijë aty dhe më thotë në serbisht ‘kanë ardh mami, babi..’.
Nuk e kuptova mirë çfarë më tha. Kur kam zbrit poshtë, kam pa mamin dhe babin që nisën të qanin shumë dhe nuk e besonin që unë jam gjallë. Se ata s’e dinin nëse jam gjallë apo mirë, derisa Interpoli ka dhënë lajm familje sime se unë jam mirë dhe jam në duar të sigurta.”,- tregoi e emocionuar Shkurtesa.
Ajo tha se kishte një arsye të fortë pse vendosi të ngrinte zërin dhe të tregonte historinë e saj të dhimbshme.
“Për një vajzë të re që ka kaluar gjëra të tmerrshme nuk është aspak e lehtë me dal para kamerave me tregu historinë time. Arsyeja pse e kam treguar është që pse jo nesër pasnesër dikujt që i ka ndodh, pas shumë vitesh e ngre zërin për veten e saj dhe tregon të vërtetën, sepse shumë femra janë të kërcënuara për vite me radhë dhe ende s’kanë guximin ta tregojnë historinë e tyre”, u shpreh Tuti.
E pyetur nëse ka operacione plastike, Shkurtesa u përgjigj sinqerisht: “Po, vetëm pak buzët“. Ajo zbuloi gjithashtu se është single dhe se nuk ka një kriter të veçantë që mashkulli i jetës së saj duhet të plotësojë.
g.kosovari