Nga Aranit Muraçi
Pas pezullimit nga partia Sali Berisha e konsideron Lulzim Bashën “peng” të Edi Ramës dhe për këtë arsye ka nisur një fushatë brenda PD-së për shkarkimin e tij nga detyra si kryetar.
Ilir Meta ka kohë që dyshon se Basha është duke bërë lojën e Ramës dhe madje beson së ata janë në bashkëqeverisje.
Nga ana tjetër Edi Rama ka gati një vit që i bën thirrje Bashës të distancohet nga Berisha dhe Meta, për të bashkëqeverisur pas zgjedhjeve të 25 prillit.
Sipas asaj që deklaroi sot Lulzim Basha, Rama bashkë me Berishën dhe me Metën janë ‘Trekëndëshi i Bermudës”, duke i krahasuar ata me simbolin e së keqes.
Basha dashje ose pa dashje shtoi një tjetër teori konspiracioni mbi ekzistencën e trekëndëshit të njohur ndryshe si ai i djallit.
Cilën prej këtyre teorive duhet të besojnë shqiptarët dhe çfarë misteri fsheh “Trekëndëshi i Bermudës”?
Trekëndëshi Bermuda, i njohur gjithashtu si Trekëndëshi i Djallit, është një rajon i përcaktuar në pjesën perëndimore të Oqeanit Atlantik, ku thuhet se një numër avionësh dhe anijesh janë zhdukur në rrethana misterioze. Shumica e studiuesve me reputacion hedhin poshtë idenë se ekziston ndonjë mister mbi tragjedinë. Pra, kemi të bëjmë thjesht me hipoteza dhe sajesa.
Brenda pak orësh 14 anëtarët e ekuipazhit dhe avionët e tyre u zhdukën pasi hynë në Trekëndëshin e Bermudës – një zonë e oqeanit në formë trekëndëshi deri në 4 milionë kilometra katrorë dhe kufizohet nga bregu juglindor i SHBA-së, Bermuda dhe Porto Riko.
Shtatëdhjetë e gjashë vjet pas zhdukjes së pesë avionëve dhe të gjithë ekuipazheve të tyre mbi Trekëndëshin e Bermudës, një studiues australian ka hedhur dritë mbi misterin.
Disa nga pilotët raportuan se busullat e tyre nuk funksiononin dhe lundrimi ishte pothuajse i pamundur, pasi filloi një stuhi e madhe. Në një nga mesazhet e fundit radiofonike të marra, togeri Charles Taylor, komandanti i fluturimit, raportoi: “Asgjë nuk duket në rregull. Nuk e dimë ku jemi, uji është jeshil”.
Tragjedia u shoqërua me teori të shumta konspiracioni. Shumë njerëz japin shpjegime mbi një fenomen të jashtëzakonshëm, duke pretenduar se po ndodhte diçka e mbinatyrshme. Disa si shkak të zhdukjes së avionëve thanë se ishin UFO-t, madje u tha se aty ekziston edhe një qytet nënujor. Teoricienët e konspiracionit u nxitën gjithashtu të shfrenonin fantazitë nga raporti zyrtar i marinës amerikane që e cilësoi incidentin si “shkak të panjohur”.
“Hetimi zbuloi se ndërsa jashtë u errësua dhe moti ndryshoi, Taylor kishte drejtuar aeroplanët në vendin e gabuar. “Shumica e pilotëve të përfshirë në incident ishin praktikantë.
Kjo do të thotë se ata nuk ishin mësuar siç duhet se si të përdornin të gjitha instrumentet e avionit kur fluturonin natën ose në mot të keq.
Hulumtimet kanë treguar gjithashtu se numri i anijeve dhe avionëve të zhdukur në Trekëndëshin e Bermudës nuk është shumë më i madh, në mënyrë proporcionale, se numri i avionëve dhe anijeve të zhdukur në çdo pjesë tjetër të oqeanit, tha një studiues australian.
“Por nëse 1000 avionë fluturojnë nëpër Trekëndëshin e Bermudës dhe ne dimë që nuk ka ndodhur asgjë me 990 prej tyre, a duhet të themi se 10 të tjera ishin raste të mbinatyrshme?”
Ka edhe një teori që thotë se avionëve u kishte mbaruar karburanti, pasi nuk e kishin llogaritur mirë distancën.
Teori ka pafund. Bermuda ngjan në fakt me akuzat politike dhe teoritë e shumta të konspiracionit në Shqipëri. Janë po aq të shumtë ata që besojnë se Rama-Berisha-Meta dhe Basha janë bashkë dhe e tërë skena politike është pjesë e një estrade.