Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, thotë se ekspertët e nivelit të lartë janë në kontakt me ekspertët e opozitës për të përfshirë rekomandimet e Komisionit të Venecias. Në një intervistë për Klan, ai shprehet se nëse palët nuk do të pajtohen në produktin final të konsultimeve, atëherë do të jetë sërish Komisioni i Venecias, ai që do të japë vlerësimin final.
“Sot të gjitha forcat politike kanë pranuar në fakt një dokument të përbashkët që është dokumenti i Venecias. Nëpërmjet z. Halimi jam në dijeni se edhe eskpertët e opozitës kanë komunikuar me ekspertët ndërkombëtarë të përfshirë në këtë proces që të dëgjohen. Dhe kjo është një gjë shumë pozitive”, thotë Xhafaj.
Presidenti Bujar Nishani i këshilloi palët që të ulen në një tryezë për të gjetur konsensusin, por Xhafaj beson se nuk do të ketë ndasi në propozimet e tyre për të përfshirë rekomandimet e Komisionit të Venecias. Nëse kjo do të ndodhë, drafti sëbashku me sugjerimet që nuk do të pranohen nga palët, do t’i çohet sërish këtij komisioni për një vlerësim final i cili do të jetë vendimtar në votimin e reformës.
“Nëse ne do ta zgjidhim vetë, do jetë një gjë shumë pozitive. Ky do të sjellë një proces të mbyllur. Nëse grupet politike që kanë dhe vullnetin politik për të votuar, do të kenë edhe rezerva, atëherë ne do të diskutojmë do të negociojmë”, shtoi Xhafaj.
Kreu i komisionit të posaçëm për reformën në sistemin e drejtësisë thotë se ndikimi i mazhorancës në të ka qenë inekzistent dhe provë për këtë Xhafaj thotë se është fakti që LSI iu drejtua Venecias me vërejtjet dhe propozimet që kishte për draftin.
“Ky nuk është produkt i politikës, por i ekspertizës vendase dhe ndërkombëtare. Tryeza e koalicionit nuk merret me amendamentet”, thotë Xhafaj.