-Intervistë ekskluzive e deputetit të PD-së Agron Gjekmarkaj për “KOHA JONE”: Po e mori PD-në Berisha do jap dorëheqjen nga funksionet!
Shënim i drejtorit të KOHA JONE, Nikoll Lesi:
Intervistën, ku pyetjet janë nisur me email para një dite në drejtim të deputetit të PD-së zotit Agron Gjekmarkaj po botohen të plota, pa hequr asnjë presje, përveç redaktimit të gabimeve ortografike të intervistuesit që natyrisht i korigjon redaktori i www.kohajone.com
Pasi lexova përgjigjet e pyetjeve si dhe duke e falenderuar sinqerisht për kohën e tij të çmuar, sepse kohët e fundit ka një ngarkesë të madhe në selinë blu, me duhet të them pak fjalë në lidhje me disa insinuata ndaj meje, ndonëse e kuptoj fare mirë pozitën e vështirë të deputetit Gjekmarkaj në këtë rast.
Së pari pyetjet ishin për situatën në PD, pasi është katastrofë kur një vend gjysmë demokratik nuk ka një opozitë serioze ose siç thuhet në publik, të blerë.
Së dyti, pyetjet nuk ishin live por me email, sepse nëse do të ishte ndryshe mbetej e drejta ime të shtoja kundërpyetje ndaj intervistuesit të nderuar.
Së treti, nuk është faji im për situatën e acaruar në selinë blu, ku duket se (që nuk e uroj dhe nuk e dëshiroj) kur të hyjë Berisha me simpatizantët në oborrin e selisë blu sapo të zgjidhet kryetar nga Kuvendi (siç paralajmërojnë njerëzit afër tij) nuk do dihet se si do ikin duke kaluar gardhin, deputetët proBashës.
Së katërti, për raportet e mia me Edi Ramën si individ apo si kryeministër nuk marr leje asnjeriu, sepse unë jam si individ pa përgjegjsi partiake apo shtetërore, momentalisht, ndonëse sikur selia blu në këto 8 vite të ishte të paktën në nivelin 50 % të medias KOHA JONE sot mund të ishte në pushtet!
E fundit, deputetit Gjekmarkaj i uroj si mik të vërtetë e pa hile, që e kam e që mbetet vlerë që lartëson atë seli blu, pra të mbetet ai intelektuali indipendent që kemi ndjekur para 25 prillit.
Nikoll LESI
Pyetje 1: Në fillim ishit disi asnjanës mes Bashës dhe Berishës në konfliktin mes tyre. Tani jeni pozicionuar hapur pro Bashës. Çfarë ndodhi nga ky ndryshim kursi?
Agron Gjermakaj: Së pari të falenderoj për intervisten jo shumë i lumtur për kohën që po më merr ngaqe po me bie të përsëris shpesh të njëjtat gjëra. Nuk do ishte keq të intervistoje Kryetarin e PD-së , nënkryetaret e PD-së, Sekretarin e Pergjithshëm, deputetët dhe anetarët e tjerë të Kryesisë, por gjithsesi e quaj privilegj të të përgjigjem sepse jeni gazetar i shumë betejave, zhurmave, lajmeve e qëndrimeve të cilat i kanë bërë mirë vëndit ose së paku alegri i kanë dhënë atij qoftë kur jeni bërë zëdhënës i “luftës” kundër “rilindjes” po kaq i “pax Edi Rama” si amëshim sublim. Edhe për mua nata e dita 24 orë janë si për ty, këtë duhet ta dinë edhe gazetaret e medias vizive apo të shkruar megjithese mundohem ti respektoj të gjithë me sa mundem, por po më kthehet në torturë fizike heshtja e të tjerëve, vullneti im kostant për të shprehur mendim dhe uria mediatike për komente. (me humor)
Duke u kthyer tek pyetja juaj: kjo nuk është një çështje shijesh e raportesh personale, simpatie për njërin apo tjetrin. Vendimi i SHBA për të shpallur non gratta Sali Berishen i ka trazuar demokratët, ndoshta shumë më tepër Lulzim Bashën mbi të cilin rëndonte barra e pranimit apo refuzimit të tij. Natën kur lexoi aktin e tij Basha dukej si personazh tragjik. Një vendim që e kam pranuar me dhimbje si të vetmin shteg nga ku mund të kalonin demokratët ndonëse Berisha në gjykimin tim duhej të tërhiqej vetë kohë më parë pasi e përmbylli ciklin e tij në opozitë dhe në pushtet. Nuk kam qënë asnjanës. Kam mbështetur që në fillim vendimin e Bashës të cilin e kam gjykuar si tejet të veshtirë por të drejtë.
Pyetje 2: Thuhet se mos e thuaj fjalën e fundit në fillim, por ne po e bëjmë siç nuk duhet: Kush mendon se do ta fitojë këtë duel për jetë a vdekje mes Berishës dhe Bashës?
Unë di një gjë që persevktiva antiamerikane nuk ka të ardhme as në PD e as në vend. Përtej çdo ngjarje ajo si koncept bashkëkohor e historik nuk identifikohet kurrë me fitoren. Nuk po akuzoj Sali Berishen dhe pjesëmarrësit e “Foltores” si antiamerikanë, por çeshtja është se si SHBA e konsideron këtë levizje. SHBA-të nuk janë një shaka, por forca më madhore e botës e ligjit dhe demokracisë, fatmiresisht miq dhe aleat të kombit tonë. Personalisht dhe ti e di Nikolle se në anët tona i presim anglo-amerikanet qysh në vitin 1944, jam votuar si pro amerikan dhe ligjerimi im publik ka qënë gjithmonë i bazuar mbi vokacionin perëndimor. Dielli lind nga perëndon na pat mësuar Naimi i madh. Perëndimi e ka bërë Shqiperinë shtet të Pavarur, Kosovën gjithashtu dhe vlerat e tij janë hipoteka më e madhe e sigurisë për ne.
Pyetje 3: Nëse Berisha mbledh firmat sipas statutit të PD dhe thërret Kuvendin e Jashtëzakonshëm të PD, ju a do merrni pjesë në këtë Kuvend? Dhe ngjitur me këtë pyetje vjen natyrshëm pyetja tjetër: Nëse po a do ta mbanit të flisni në këtë Kuvend kur salla mund të brohorasë “rroftë Berisha, poshtë Basha”!?
Jo nuk marr pjesë në një miting që përpiqet të gjykojë vendimet e SHBA-ve kampionit të demokracisë, as në një gjyq publik që tenton të procedojë Kryetarin legjitim të zgjedhur me 83% të votave të anëtarësisë se certifikoi kërkesën e Departamentit të shtetit. Prej natyre termat “rroftë” e poshtë” i përbuz. Unë një njeri i zakonshëm i këtij vëndi, kam respekt për Sali Berishën e konisedroj personalitet politik pa një të dytë në vendin tonë qysh nga viti 1939 e këtej, por tani po bën një levizje irracionale, antihistorike, me shtysa personale, PD-në po e trajton si pronë private, duke mos e lexuar si duhet aktualitetin politik. Problemin e tij me SHBA-të po tenton ta kthejë në problem të PD-së.
Pyetje 4: Nëse fjala vjen, SPAK arreston Berishën para mbledhjes se Kuvendit të PD, si do të reagonit si deputet demokrat?
Uroj që kjo të mos ndodhë kurrë. Por jam që çdokush në këtë vend për çdo akuzë të përballet me drejtësinë. Mamuthet e korrupsionit po të dojë SPAK i gjen tek Rilindja, tek tenderat, koncesionet dhe marifetet e saj të shumta.
Pyetje 5: Po qe se Berisha ofron një kompromis për të ruajtur PD-në, pra që as Berisha por as Basha nuk mund të jenë kryetar të PD, ju si do të vepronit? Pro apo kundër këtij kompromisi historik?
Kjo teoria që të mos jete as njëri as tjetri nuk është reale. Në këtë rast Berisha nuk ikën mbetet aty, me një delfin të vetin nëse largohej Basha. PD e izoluar dhe nën përçmimin amerikan si termi më i butë që mund të përdor do ishte realiteti më i butë. SHBA-të kanë kërkuar që të largohet Berisha dhe ai largohet nëse mbetet Basha dhe jo nëse vjen një i dërguari i tij. Ky konflikt e ka çimentuar këtë mundesi. Ikja e Bashës në këto kushte është fitore e perspektivës antiamerikane që personalisht se përkrah. Por PD ka nevojë për kompromis. PD është më shumë se çdo individ qoftë ish-kryetari apo kryetari. Sali Berisha është figurë rilevante e së djathtës shqiptare. Ai ka nxjerrë nga sirtarët atë gjuhën e vitit 1992 kur përjashtonte mocionistët, apo të viteve më vonë kur përjashtonte te tjerët. Së pari do duhej ti vinte fre këtij shkumëzimi. PD ka shumë nevojë për bashkim, për platdorma dhe ide, hapje, për kongrese të shpeshta e pa asnjë tabu, para Kongresit të Doktorit, më pas a kurdo që të ndiehej kjo nevojë. Nga debati PD del më e fortë. Sali Berisha ka shanse që ta zbardh historinë e akuzave amerikane ndaj tij vetem nëse PD vjen në pushtet.
Pyetje 6: Nëse vjen puna që Berisha e merr votën ne Kuvend si kryetar i PD, por Basha nuk e njeh këtë votim, ju si do të reagonit?
Unë kam bërë të ditur qëndrimin tim. Unë jam një histori individuale, një gjë e vogël perballë PD-së si gjë e madhe. Kontributi im është modest. PD ka qënë e madhe pa mua e mund të jetë e madhe pa mua. Ajo nuk ka pritur mua që të bëjë betejat e veta. Aty shume individë kanë hyrë e kanë dalë dhe PD është aty, mbetet me të mirat e të keqiat e veta. Unë jam i pafuqishem të marr vendime për PD, as ta ndryshoj atë, por mund të marr vendime për veten. Ndonese nuk i jap asnjë shans triumfit të persepektives të konsideruar si antiamerikane nga SHBA-e shoh veten jashtë kesaj partie, jap dorëheqje pa medyshje nga të gjitha funksionet, duke mbetur një deputet i pavarur. Nuk jam i gatshem ti paguaj çdo çmim karrieres politike.
Pyetje 7: A mendoni sinqerisht se mundet Basha ta rrezojë këtë qeveri dhe të fitojë zgjedhjet? Ose pak me ndryshe: nëse ju do të kishit humbur të gjitha zgjedhjet si kryetar i PD a do të kishit ikur tani nga posti i kryetarit?
Po mundet. Më 25 Prill me sy shkelje ndërkombetare u bë masakër elektorale. Për arsye që tanimë i dimë ndodhi “inxhinieria elektorale”. Të tillë e ka konsideruar edhe Sali Berisha mënjëherë pas zgjedhjeve. Ndryshoi qëndrim pas 9 Shtatorit. Për mua Basha, kryetar real i PD, është tash 5 javë, kohë pamjaftueshme kjo për të dhënë dorëheqje. Më ngjan se në hije Sali Berisha paskësh qënë Kryetar i Kryetarit.
Pyetje 8: Nëse Berisha merr Kuvendin kurse Basha mban vulën e PD me policinë e shtetit, si do veproni?
Tani ki meshirë. Mos më detyro të komentoj çdo thashethem mejhanash.
Pyetje 9: A është një krim që po bëni ndaj demokratëve duke mos i udhëhequr drejt fitores së zgjedhjeve?
Krimi më i madh politik e profesional, ti njohesh dikujt fitoren e vjedhur e ta pranosh atë si të vertetë popullore. Çudi asnjë pyetje s‘më ke bërë për aksionin opozitar, për komisionet hetimore, për propozimet kushtetuese …një tregues është edhe ky, ku ju intereson ta mbani debatin. Kryeministri gëzohet shumë për këto aleanca mediatike. Nuk është çudi edhe të të ftojë për një drekë.
Pyetje 10: Nëse asnjëri nuk hap udhë, me cilin do rrini? Dhe sa deputetë mund të mbajë Basha rreth gardhit të tij?
Tani Kryeministi ynë ymërmadh që nuk lejon as qentë të lehin në Surrel se ka zët lehjet e tyre, e rrënqethin në errësirë, njëri që i di të gjitha, që ka në dorë spektrin e së mirës dhe anatemen ndaj të keqes, që të bëri ty ta admirosh pasi e shave nja tetë vite, atë teorinë e filxhanit si batutë se kishte aq keq se kjo pyetje ose është fall ose jerm që shfaqet në fundin e filxhanit, në pirgun e llumit të kafesë!
Pyetje 11: Pse Basha nuk del të takojë bazën e PD? A krijon kjo një përceptim publik se nuk e pret njeri?
Basha e takoi bazën para tre muajsh dhe mori mbështetje masive prej saj. Nga 200 vetë në çdo rreth se di në janë baza e Partisë, një segment i saj sigurisht që po.
Pyetje 12: Deri kur mendoni se do ta supertojnë Amerikanët Lul Bashën? Pra me saktë kur mund ta lëshojnë në rënie të lirë!?
Në pyetje të lexohet dëshira. Më duhet të të merzis pak. Në rënie të lirë shoh Edi Ramën. Tanimë ai e ka humbur monopolin e mardhënieve me SHBA-në, të informimit dhe dizinformimit ndaj tyre. Sot Rama është i mërzituar por nga sevdaja e re (me humor) ndaj tij nuk arrin t’ia shquash. SHBA-të folën, “do të jemi me ju për të festuar fitoren e PD së bashku”.
/b.h