Komisioni i Venecias e thotë hapur në opinionin e tij. Gjykata Kushtetuese nuk mund ta ketë në kompetencën e saj gjykimin si antikushtetues apo jo një proces zgjedhor si ai i zgjedhjeve vendore të vitit 2019.
Kjo është përgjigja e qartë e ekspertëve të Venecias pyetjeve të Gjykatës Kushtetuese, e cila ku pyetja kryesore ishte nëse e ka kompetencën e vlefshmërisë së procesit zgjedhor apo jo.
Në opinionin final, Venecia nuk ndryshon thuajse asgjë nga drafti i publikuar disa ditë më parë.
Komisioni i Venecias është i mendimit se këshilltarët dhe kryetarët e bashkive janë “funksionarë të organeve të parashikuara në Kushtetutë” në kuptimin e nenit 131 (1) e) të Kushtetutës. Megjithatë, kompetenca e Gjykatës Kushtetuese nuk përfshin shqyrtimin e vlefshmërisë së zgjedhjeve vendore. Kjo nuk e pengon Gjykatën Kushtetuese të ushtrojë kontrollin e saj mbi legjislacionin zgjedhor. ‘Venecia’ thotë se Gjykata Kushtetuese mund ta konsiderojë shtyrjen e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019 për në shtator nga Meta si antikushtetuese.
Sa i përket shqetësimit tjetër nëse “parimi i periodicitetit të zhvillimit të zgjedhjeve vendore dhe ai i pluralizmit politik janë parashikuar si parime themelore kushtetuese, cili do të ishte raporti mes tyre në një situatë ku rrezikohet cenimi i secilit parim? Cili parim do të prevalonte mbi tjetrin?”, Komisioni i Venecias thotë se këto dy parime nuk kanë gjasa të konfliktohen në vetvete njëra me tjetrën, pasi ato shprehen në lloje shumë të ndryshme rregullash.
“Pluralizmi mund të jetë një qëllim legjitim për të ndërhyrë në periodicitet, por që ai synim të mbizotërojë, ndërhyrja duhet të ketë bazë ligjore dhe të jetë proporcionale. Parlamenti ka një marzh të gjerë vlerësimi për të vendosur për sigurimin e një baze ligjore për shtyrjen e zgjedhjeve; në mungesë të një baze të tillë, Gjykata Kushtetuese mund ta konsiderojë shtyrjen si antikushtetues”, thuhet në draft opinion.
Në fund Komisioni i Venecia ka edhe një mesazh për palët politike dhe institucionet shtetërore.
“Mbetet bashkë-përgjegjësi e autoriteteve publike dhe e gjithë spektrit politik për të rikthyer besimin në institucionet shqiptare dhe në proceset zgjedhore. Kjo nënkupton përgjegjësinë e të gjithë këtyre palëve të interesuara për të promovuar dialogun politik midis të gjitha forcave politike, si dhe midis institucioneve kombëtare, siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndër të tjera. Kjo nënkupton gjithashtu rivendosjen e një zgjedhjeje kuptimplote për votuesit. Të gjithë këta elementë janë parakushte esenciale, por jo ekskluzive, për zgjedhjet demokratike”, nënvizon ‘Venecia’, shkruan shqiptarja.com
Zgjedhjet e 30 qershorit 2019 është një çështje që pritet të marrë vëmendjen e anëtarëve të Kushtetueses pasi opozita i cilësoi si antikushtetuese. Ka qenë kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi e cila korrikun e kaluar ka paraqitur një kërkesë në Kushtetuese dhe kërkon verifikimin e regjistrimit në këto zgjedhje të partisë së re, Bindja Demokratike. Një çështje e nxehtë është edhe prishja e Teatrit Kombëtar.
Ankimimi në Kushtetuese u propozua edhe nga SHBA, në raportin e paraqitur një ditë pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Teksa e quajti të rregullt procesin zgjedhor, SHBA theksoi qartë dhe prerë se ata që ata që dëshirojnë të sfidojnë rezultatin e zgjedhjeve duhet të presin Gjykatën Kushtetuese./m.j