Pas dekoratës së qeverisë për hetuesin e kohës së diktaturës Shyqyri Çoku, qyteti i Shkodrës ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi” profesor Sami Repishtin.
Këshilli Bashkiak vendosi me votë unanime ti japë Sami Repishtit titullin “Qytetar Nderi”, me motivacionin “Veprimtar politik, mbrojtës i të drejtave të njeriut, promovues i shtetit ligjor, europianizimit dhe demokracisë, mbrojtës i të drejtave të shqiptarëve në Kosovë dhe Çamëri”.
Propozimi është bërë nga shoqata e ishtë përndjekurve politik të Shkodrës. Votimi u bë i fshehtë dhe 34 anëtarët e Këshillit Bashkiak të Shkodrës votuan pro dhënies së këtij titulli, përfshi edhe të majtët.
Dekorata që qeveria i dha Shyqyri Çokut, për merita në Luftën Nacional Çlirimtare, nxiti debate të ashpra. Opozita akuzoi qeverinë për dekorimin e xhelatëve të diktaturës, ndërsa kryeministri kërkoi ndjesë, duke theksuar se Ministria e Mbrojtjes dekoroi të gjithë veteranët e kategorisë së parë, sipas listës së miratuar më herët nga qeveria e Berishës.
BW