Bashkia e Tiranës zeron taksat për të gjitha bizneset e vogla të cilat kanë një xhiro deri në 5 milionë lekë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke folur në Këshillin Bashkiak mbi paketën fiskale për vitin 2016, tha se tatimi i thjeshtuar mbi biznesin e vogël do të jetë zero.
“Kjo taksë, e cila për shumë vite me radhë ka qenë barra kryesore e biznesit të vogël, është shfuqizuar, dhe ky është me të vërtetë një lajm i shkëlqyer. Kështu, biznesi me qarkullim vjetor nga 0 deri në 5 milionë lekë do të paguajë zero taksa. Ndërsa biznesi me qarkullim vjetor nga 5 deri në 8 milionë lek do të paguajë 5% të fitimit të tatueshëm”, deklaroi Veliaj. Sipas tij, kjo masë do të favorizojë pikësëpari vetëpunësimin.