Prefekti i Qarkut Tiranë ka reaguar ditën e sotme ndaj akuzave të Bashkisë Kamëz, e cila ngre pretendimet se puna e këtij institucioni është penguar qëllimisht. Për sa më sipër, Prefekti i Qarkut Tiranë ka sqaruar se “Institucioni i Prefektit bazuar në ligjet e vendit është i vetmi institucion administrativ, i cili verifikon ligjshmërinë e akteve dhe vendimeve të dala nga këshillat Bashkiakë respektivë”.
“Në lidhje me rastin e Bashkisë Kamëz, pas verifikimi të bazueshmërisë në ligj të procesit të vendimmarrjes së rastit në fjalë, rezultoi se: – Këto vendime nuk janë në përputhje me procedurën e Ligjeve dhe konform nenit 31 pika 14 dhe nenit 36 të Ligjit Nr.8652 dt.31.07.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” i ndryshuar. Kjo, pasi njoftimi për mbledhje duhej bërë nga Kryetari i Këshillit Kamëz dhe jo nga nismëtarët dhe anëtarët e Këshillit për mbledhje jashtë radhe. Kjo pasqyrohet edhe në njoftimin për mbledhje Nr.3559, dt/30.10.2015 i cili është marrë nga verifikimi në vend nga përfaqësuesit e Prefektit të Qarkut Tiranë. Në vendimin Nr.31 vihet re se në procesverbalin mbi zgjedhjen e zv.kryetarit të Këshillit nuk është firmosur nga një anëtar i komisionit të votimit. Bazuar në nenet e sipërcituara dhe rastit në fjalë, vendimet Nr 2834 datë 03.11.2015 nuk kanë sesi të konfirmohen në kundërshtim me ligjet. Sa i përket vendimit që lidhet me shpërndarjen e ndihmës ekonomike dhe shtresave të tjera përfituese, Prefekti i Qarkut Tiranë thekson se vendime Nr.35, 36, 37 dhe 38 janë në përputhje me Kushtetutën dhe janë konfirmuar një muaj më parë, në një kohë rekord duke qenë se ndihma ekonomike ka impakt social. Sa i përket akuzave se vendimet janë kthyer pa argument, Prefekti i Qarkut Tiranë sqaron se nuk gjen dot argument më të mirë sesa ligjet e theksuara më lart. Prefekti i Qarkut Tiranë refuzon kategorifikisht t’i përgjigjet akuzave me karakter politik, të cilat nuk kanë vend dhe japin një model të shëmtuar për institucionet e një vendi i cili lufton për aspirate europiane”, thuhet në njoftimin e Prefektit të Qarkut Tiranë.