Ambasadori i Britanisë së Madhe në vendin tonë Alastair King-Smith në një intervistë televizve tha se ‘shtëpitë e barit’, të cilat drejtohen, janë një fenomen shqetësues. Alastair King-Smith u shpreh se ka biseduar direkt me kryeministrin Edi Rama lidhur me këtë fenomen, pasi është një çështje që duhet adresuar.
“Kjo është shumë e rëndësishme për t’u diskutuar. Kjo është diçka që e kam diskutuar me Kryeministrin këtë javë. Sigurisht që ka të rinj që kapen në rrjetet kriminale dhe paguajnë një sasi të jashtëzakonshme parash për të kaluar ilegalisht në MB.
Shpesh ata kalojnë udhëtime shumë të vështira për të mbërritur atje dhe ne duhet të shohim se pse kjo ndodh, si mund ta parandalojmë dhe gjithashtu se si mund ti mbështesim këta të rinj kur ata kthehen, që të kenë mundësi të mira ekonomike këtu, në mënyrë që ata mos ta ndiejnë si nevojë ta bëjnë përsëri atë udhëtim. Kështu kjo është diçka që qeveritë duhet ta konsiderojnë së bashku, por do të ketë nevojë që gjithë shoqëria të punojë së bashku për të garantuar se do të ketë progres.
Dhe dua të theksoj se çfarë kjo ndodhi shkakton është shkatërrim real i familjeve, atyre në MB të cilat tërhiqen në këto rrjete përmes përfshirjes së fëmijëve të tyre në rrjete droge, familjeve të reja këtu, të rinjve të familjeve këtu që ndikohen nga këto punë, gjë që nuk duhet të vazhdojë më dhe për të cilën ne duhet të punojmë si shoqëri jo vetëm si qeveri, për të parë se çfarë mund të bëjmë për këtë çështje”, deklaroi ambasadori.
Ambasadori la të kuptohet se Britania e Madhe do të financojë në Shqipëri një burg, në të cilin do të mbyllen të gjithë të burgosurit që do të dëbohen nga Britania e Madhe.
“Kam pasur nderin të flas me Ministren tuaj të drejtësisë dhe të konsiderojmë se si të ndërtojmë dhe mbështesim sistemin e drejtësisë në vend. Nuk është vetëm për burgjet, por për të gjithë sistemin e drejtësisë, por sigurisht burgjet janë një pjesë shumë e rëndësishme e kësaj dhe MB do të shikojë se si mund ta mbështesë Shqipërinë për të zhvilluar një bashkëpunim efektiv”, tha ambasadori në intervistën e transmetuar në Top Neës.
Alastair King-Smith, ka përgënjeshtruar lajmin e publikuar në gazetën britanike “The Sun” se Britania e Madhe dhe Shqipëria po negociojnë për ngritjen një kampi refugjatësh në vendin tonë. Ai tha se media britanike ka gabuar dhe kemi të bëjmë me një lajm të rremë.
“Ju besoj e dini që unë jam një mbështetës i madh i lirisë së medias dhe medias. Por ndonjëherë media, edhe në Mbretërinë e Bashkuar, nuk i paraqesin faktet e sakta. Edhe këtu sigurisht që ka çështje të cilat dalin në dritë ndonjëherë me jo shumë saktësi. Ne kemi një marrëdhënie të gjerë me Shqipërinë ku ne diskutojmë një sërë çështjesh, por nuk ka ndonjë marrëveshje për të pasur një qendër të procedimit të kërkesave për azil në Shqipëri”, tha ambasadori.
Ambasadori britanik tha se ka komunikuar edhe me ambasadorin shqiptar në Britani, Qirko, ku tha se shqiptarët atje po japin një kontribut të rëndësishëm ekonomikisht dhe në shoqëri, dhe kjo është diçka që ne duam ta forcojmë.
‘Kam pasur shumë diskutime të frytshme me Ambasadorin Qirko dhe kemi rënë dakord që forca e marrëdhënieve mes popujve tanë është një nga gjërat më të mira që kemi mes vendeve tona. Ka mijëra shqiptarë në MB, të cilët po japin një kontribut të rëndësishëm ekonomikisht dhe në shoqëri, dhe kjo është diçka që ne duam ta forcojmë. Dhe sigurisht me këto specifika, jam i sigurt që do të shohim se si mund të kontribuojmë të gjithë në krizën e karburantit. Dhe unë mendoj se kriza energjetike është një e cila duhet ta konsiderojmë në gjithë globin duke punuar shumë afër me njëri-tjetrin. Dhe si ju e dinin ne kemi Diskutimet për klimën COP26 që do të ndodhë në Glasgoë në Nëntor dhe ne po presim që Kryeministri Rama të marrë pjesë e të punojmë ngushtë me Shqipërinë dhe vendet e tjera.’- tha ambasadori.
Shqiptarja.com