Është duke u zhvilluar mbledhja e parë e Përgjithshme e Gjyqtarëve, ku do të zgjidhen sot 3 anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Gjyqtarët do të votojnë mbi 6 kandidaturat në garë të cilat janë:
Asim Vokshi, Klodian Kurushi. Ridvan Hado, Vjosava Osmanaj, Irena Plaku dhe Manjola Xhaxho, prej të cilëve do të zgjidhen tre të parët që kanë marrë shumicën e votave.
Në falën e saj në hapje të mbledhjes, kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami tha se reforma në drejtësi nuk ka më kthim pas dhe ndaj gjyqtarët nuk duhet të jenë pjesë e problemit por pjesë e zgjidhjes.
“Në tre vite vendosëm standarde të reja në sistemin e gjyqësorit. Të mos jemi më pjesë e problemit, por e zgjidhjes. Reforma në drejtësi nuk ka më kthim pas”, tha Llagami.
Ndërkohë, zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, u shpreh se modeli i gjyqtarit është profesionalizmi dhe vyrtytet e larta. Gjithashtu ai theksoi se një gjyqësor i fortë është garanci për qytetarin dhe forcon legjitimitetin në vendimmarrje.
“Pa besimin në sistem, nuk realizohet roli i gjyqtarit. Askush s’do donte të gjykohej nga ata pa cilësi morale. Modeli i gjyqtarit është profesionalizmi dhe virtytet e larta. Pa pavarësinë, pa besimin e publikut në sistem, nuk mund të zëvendësohet roli i gjyqtarit. Një gjyqësor i fortë është garanci për qytetarin, dhe forcon legjitimitetin në vendimmarrje”, -tha Sadushi.
g.kosovari