Identiteti i denoncueses që publikoi dhjetëra faqe dokumentesh dhe kërkimi të brendshëm duke shkaktuar skandale për Facebook, është zbuluar.
37-vjeçarja Frances Haugen punonte si menaxhere produkti në departamentin e dezinformimit. Në intervistën për “CBS” gjatë ditës së djeshme, ajo tha se dokumentet që ajo publikoi provonin se Facebook prioritizonte rritjen e kompanisë mbi sigurinë.
Haugen rrëfeu se dha dorëheqjen këtë vit nga kompania pasi i kishte ardhur në majë të hundës me të, por kopjoi një sasi të mirë informacioni të brendshëm përpara largimit. Ajo i ndau me “Wall Street Journal”, të cilët kanë mbi tre javë që publikojnë materialin “Facebook Files”.
Në to thuhet se Facebook i qasej ndryshe të famshmëve, politikanëve dhe përdoruesve të profilit të lartë të këtij rrjeti social. Mbi ta aplikoheshin politika të moderuara ose nuk aplikoheshin fare, me anë të një sistemi të quajtr XCheck (cross-check).
Më pas, u shtua dokumenti që provonte se Instagram po ndikonte në shëndetin mendor të adoleshentëve duke krijuar një mjedis toksik për ta dhe se kompania ishte e vetëdijshme.
Deri më tani, Facebook i ka mohuar të gjitha akuzat duke i përgënjeshtruar ato. Haugen, e cila punoi në kompani prej vitit 2019, më parë punonte për gjigandë të tjerë teknologjie si Pinterest dhe Google.
Ajo është thirrur si dëshmitare përpara Nënkomitetit të Senatit më 5 Tetor lidhur me Mbrojtjen e Konsumatorit, Sigurinë e Produktit dhe të të Dhënave.
/a.r