Në këtë periudhë ‘lufte’ brenda Partisë Demokratike ku e ardhmja duket më e paqartë se kurrë, Lulzim Basha përpiqet ta bëjë të duket situatën normale. Së fundmi pasi ka propozuar uljen e TVSH-së në 6% për ushqimet bazë, deputetët e PD kanë dalë në terren pikërisht për këtë qëllim.
Deputeti i Korçës, Ervin Salianji, ka qenë në zonën e tij elektorale. Ai shkruan se qytetarët janë të “ngopur” me debate politike dhe zhytur në pasiguri për atë që ky mandat i tretë i kësaj shumice ilegjitime po paralajmëron!
“Pa mbushur ende një muaj që kanë hyrë në zyra dhe shikoni çfarë po ndodh: çmimi i bukës i rritur me 20 lekë, çmimet e shportës vazhdojnë rriten, nafta, gazi dhe gjithçka tjetër po pësojnë rritje! Ata që kanë përgjegjësi heshtin! Isha sot në Korçë për të prezantuar tek qytetarët propozimin e PD për uljen e TVSH-së për produktet e shportës nga 20% në 6%.
Thënë më thjeshtë: vaj, sheqeri, miell, oriz, makarona, kripë, kos, qumësht, bukë dhe ujë, me çmime më të lira si pasojë e uljes së TVSH-së. Ky do të jetë propozimi që do mbrojmë më fortë në Kuvend sepse ky ndikon drejtpërdrejtë në ekonomitë e familjeve tuaja! Diferencën në politikë e bëjnë aktet! Koha do të tregojë më shume”, shkruan Salianji nga Korça.
Ndërkohë që deputetja e Qarkut Tiranë, Jorida Tabaku, ka zhvilluar një bashkëbisedim me banorë të Sauku në kryeqytet.
“Nuk janë kohë të lehta , çmimet e produkteve të shportës rriten ndërsa Sauku varfërohet. Asfaltit elektoral po i del boja ndërsa vendi zhytet në pluhur dhe varfëri. Varfëria e rritur dhe punësimi gjithnjë e më i ulët në këtë zonë. Infrastruktura e munguar shkollore dhe zhvlerësimi i pronës”, nënvizon ajo.
Deputeti i Vlorës, Arb Agalliu nga Orikumi shkruan se ka denoncuar | edhe njëherë rritjen e çmimeve të produkteve të shportës.
“Gjithashtu folëm për problemet që ka kjo zonë sikurse janë mungesa e infrastrukturës, energjia elektrike, papunësia, mbyllja e bizneseve, etj. Shqetësues ishte edhe mungesa e transportit për fëmijët e fshatrave Tragjas, Radhimë e Dukat të cilët detyrohen të ndjekin shkollën në Orikum sepse shkollat në këto fshatra janë mbyllur. Rikthimi i Orikumit në bashki, si domosdoshmëri për këtë zonë, ishte një çështje tjetër e diskutimeve”, ka shkruar Agalliu./m.j