Gazetari i njohur Xhevdet Shehu ka botuar librin e ri me titull ” Nga Janari në dhjetor”. Në parathënien e këtij libri ai ka shpjeguar dhe ka folur më tepër rreth tij.
Shehu shprehet se këtë titull e ka vendosur në mënyrë të natyrshme pasi ka sistemuar lëndën e librit. Në të, ai rrëfen fillimin dhe mbarimin e një cikli, një periudhe.
Më poshtë mund të lexoni parathënien e plotë të shkruar nga autori Xhevdet Shehu:
Parathënia e librit “Nga janari në dhjetor” e autorit Xhevdet Shehu
Unë merrem me “universin” e vendit tim. Me historinë e këtij populli, me arritjet dhe disfatat, me heronjtë dhe antiheronjtë. Ky “univers” kam parë se është shumë i pasur, me shumë dritëhije, me përthyerje të paimagjinueshme dhe me një reliev të habitshëm.
Nuk pretendoj të jem i përkryer në mendimet e mia. Dhe sidomos të jem i pëlqyer nga të gjithë.
Në të vërtetë kjo në thelb është deviza e çdo krijuesi. Pa asnjë përjashtim të gjitha veprat e historianëve dhe shkrimtarëve janë histori dhe tregime të së shkuarës. Ndryshon stili apo interpretimi, por jo thelbi. Shkrimtarët dhe gazetarët aktivë shkruajnë më së shumti për të tashmen, por duke e ditur fare mirë se kjo e tashme kthehet në të shkuar shumë shpejt, qysh të nesërmen, ata ndiejnë mbi supe një përgjegjësi historike.
E shkuara është pjesë e pandarë e jona. Ajo ka një fuqi të jashtëzakonshme për të ndikuar në të tashmen tonë. Është vlerë që ndikimin e së shkuarës ta bëjmë sa më pozitiv për të ardhmen tonë. Unë mendoj se është mirë të kthejmë kokën pas, e të kujtojmë nga dhe si kemi ardhur këtu ku jemi sot. Por jo të mbetemi peng i së shkuarës. Në rastin më të mirë, kur e tashmja jonë është e suksesshme, marrim frymë të lehtësuar që kemi mundur të lëmë një gjurmë, të shtojmë një vlerë në historinë tonë, të shtojmë një gur në këtë ngrehinë që na identifikon si komb. Vetëm kështu do të ndihemi krenarë me veten mbi atë që kemi arritur duke ecur në gjurmët më të mira të parardhësve.
Më duket e tepërt t’ju kujtoj se e ardhmja mund dhe duhet të jetë shumë më e mirë se e shkuara! Kjo është aspiratë. Jeta do merrte një tjetër rrjedhë nëse vendosim qëllime që na shkëpusin nga e shkuara. Kjo nuk do të thotë të fshish, (kjo është e pamundur), apo të harrosh të kaluarën. Kjo do të thotë t’i japim vetes mundësinë për të qenë më mirë, për t’u ndjerë më mirë, për të dashuruar më mirë, për të punuar më mirë, për të qenë të kthjellët të pranojmë se çfarë është bërë nuk mund të zhbëhet më. Ky është ndërgjegjësimi për të realizuar aspiratën.
Falënderoj me gjithë zemër të gjithë ata miq të shumtë, shkrimtarë, historianë, filozofë, intelektualë e politikanë që nëpërmjet takimeve, bisedave e intervistave që kam bërë me çiltërsi në vite, ma lehtësuan shumë punën për formësimin e këtij libri.
/b.h