Enkelejd Alibeaj shkruan se përplasjet në mbledhjen e Partisë Socialiste me strukturat në Shkodër për çështjen e punësimeve, konfirmojnë se “pushteti i rrëmbyer me masakrën zgjedhore në bashkëpunim me krimin”, nuk i përket qytetarëve, por ortakëve të kryeministrit Edi Rama.
Nënkryetari i Partisë Demokratike thekon se ndarja e politikës nga krimi, për Partinë Demokratike, është një prioritet kombëtar.
Reagimi i plotë:
Për Partinë Demokratike, ndarja e politikës nga krimi është një prioritet kombëtar. Prej kohësh, me fakte dhe prova, kemi paralajmëruar se si modeli i ndërtuar nga Edi Rama po përhapet si një tumor në indet e partisë që ai sundon dhe metastazat shtrihen në gjithë aparatin shtetëror.
Debatet e publikuara në media nga mbledhja e PS-së së Shkodrës, konfirmojnë se pushteti i rrëmbyer me masakrën zgjedhore në bashkëpunim me krimin, nuk i përket qytetarëve, as socialistëve, por ortakëve të Edi Ramës që blenë vota, shantazhuan, dhunuan, dhe në këmbim marrin kontrollin mbi ato institucione që i shërbejnë më mirë interesave të tyre kriminale. Këto rrëfime janë prova më e qartë se si partneriteti i pakicës plaçkitëse Rama, Doshi, Rakipi, funksionin si një PPP korruptive dhe kriminale, në kurriz të familjeve shqiptare.
Pak ditë më parë ata bashkuan mandatet e vjedhura për të konfirmuar ortakërinë e tyre parlamentare, jo për të zgjidhur çështjen e papunësisë, gjendjen e rëndë ekonomike apo korrupsionin që cënon të ardhmen e Shqipërisë, por për të nginjur babëzinë e tyre në dëm të qytetarëve.
Përballja me këtë model është detyrë imperative për Partinë Demokratike dhe për shoqërinë shqiptare, sepse ç’kapja e shtetit nga krimi dhe korrupsioni janë e vetmja mënyrë për t’u dhënë fëmijëve tanë një të ardhme më të mirë.
/a.r