Nga Spartak Ngjela
Është e vështirë dhe mëkat historik, kur një popull drejtohet nga një lider i paaftë por edhe i çmendur.
l.
Shqiptarët, për fat të keq e kaluan këtë me Enver Hoxhën.
Por ja ku e kemi një shembull konkret: presidenti Aleksandër Vuçiç në Beograd, i cili është një model skizofrenik.
Gjithsesi modeli më skizofrenik i Serbisë, sigurisht që është Sllobodan Milosheviç. Por edhe ky i sotmi është i njëjti tip me të, të paktën kështu po duket me sjelljen e tij statike jashtë aktualitetit historik. Flet me gënjeshtra, dhe duket se i beson ato edhe vetë. Por, në fakt, gënjeshtrat Vuçiç-i i lëshon që të gënjejë çmendurinë shekullore të serbëve në lidhje me nacionalizmin e tyre, i cili, vetë, si nacionalizëm, është një gënjeshtër historike.
Por, është një privilegj për shqiptarët që armiku i tyre kryesor është i dërrmuar mendërisht dhe vuan për Miloshrviçin.
Pse, a nuk na e dha mundësinë çmenduria e Sllobodan Milosheviçit që të fitonim pavarësinë e Kosovës?
Prandaj, kjo çmenduri e dytë në Beograd, sigurisht që do të na japë mundësinë e bashkimit kombëtar dhe marrjen e territoreve të tjera shqiptare që janë nën Serbinë..
Mbaheni mend këtë.
Pa le të livadhisë si i ndërkryer Aleksandër Vuçiç që po pret “petulla nga qielli “, Shqipëria e bashkuar është qëllimi politik i kohës.
Po politika amerikane?
Sigurisht që edhe politika amerikane ka mbi 20 vjet që po luan në drejtimin e politikës së kësaj kohe historike në Ballkanin Perëndimor. Dhe kjo kohë historike, që po ecën, është krejtësisht në favor të shqiptarëve.
Janë 20 milionë shqiptarë që po presin rikrijimin e tyre kombëtar pas një tragjedie të imponuar nga shtetet e Ballkanit Perëndimor. Prandaj tani gjithçka vjen e po ecën drejt një bashkimi kombëtar dhe një fermentimi real të botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor.
ll.
Asgjë tjetër veç bashkimit kombëtar nuk mund të quhet politikë e mirëfilltë shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë.
Po pse nuk po ndodh kjo?
Sepse e kanë penguar lidershipet e politikës në Tiranë dhe në Prishtinë, por tani nuk e zvarrisin dot më.
Shenjat janë që politika amerikane, pas deklarimit non grata të Sali Berishës, është hedhur në sulm kundër korrupsionit të lartë shtetëror në Tiranë. Dhe kjo është një ndërmarrje e menduar mirë, për eliminimin e klasës së korruptuar në Shqipëri.
Dhe duhet theksuar në mënyrë të veçantë: po nuk u godit korrupsioni i lartë politik, Shqipëria nuk mund të ketë të ardhme, sepse të korruptuarit do të kërkojnë ose vijimin e shitjes së interesit kombëtar, ose shkatërrimin e Shqipërisë. Mirëqenia e shqiptarëve është vjedhur nga të korruptuarit në 30 vite rresht, që nga viti 1991. Por nuk kanë më jetë. Dhe shqiptarët po presin SPAK-un, i cili duhet të veprojë, se po drejtohet nga Shtetet e Bashkuara.
Me kë do të fillojë SPAK-u? Shenjat janë se duhet të fillojë me Sali Berishën, dhe me të gjithë vargun e gjatë të ministrave dhe kryeministrave të të dy krahëve të politikes.
lll.
Po tani që ka tension në kufirin Kosovë-Serbi?
Kjo është një hapësire e re, për të cilën nuk mund të flasim me siguri se nga ka ardhur.
Por ndërkohë kryeministri Rama është në Uashington me gjithë ministren e Mbrojtjes Xhaçka, për një vizitë me sens ushtarak.
Kjo nuk mund të jetë një gjë pa lidhje.
Pse?
Sepse tregon që Rama mund të detyrohet të hyjë në rrugën e forcës shqiptare në Ballkanin Perëndimor, dhe kjo kërkon ushtri moderne. Kurse, nga politika amerikane po kuptohet që Uashingtoni po kërkon ngritjen reale të dy ushtrive shqiptare në Ballkanin Perëndimor: në Shqipëri dhe në Kosovë.
Ka kohë që Pentagoni kërkon të ngrejë disa baza ushtarake në Shqipëri, dhe shenjat janë se po i duhet edhe një aeroport afër Kosovës.
Po pra, dhe Rama është tani në Pentagon. Por, për këtë ka folur disa muaj më parë, edhe ministrja e Mbrojtjes në Tiranë, pas vizitës së saj të parë në Uashington.
Po ne, çfarë duhet të themi?
Asgjë më shumë se kaq, derisa të dalin marrëveshjet për ato që i hodhëm si mundësi më lart.
Po Vuçiç si do të sillet?
Njëlloj. Sigurisht që nga marrëveshja që mund të pritet në Pentagon, do të jetë i trembur dhe do të flasë marrëzira për mosnjohjen e Kosovës, por kjo nuk ka rëndësi për historinë që po vjen.
Po tensioni aktual në kufirin Kosovë-Serbi?
Le të presim përfundimin e vizitës së kryeministrit të Shqipërisë në Uashington. Por koha historike duhet të jetë ajo për të cilën folëm më lart: krijimi i dy ushtrive të forta shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë, dhe bashkimi kombëtar i të dy shteteve shqiptare në Ballkanin Perëndimor.