The European Union Rule of Law Mission in Kosovo, i njohur ndryshe si EULEX ka bërë me dije se ofron 82 mijë euro shpërblim për personin që do të japë informacione të vlefshme lidhuur me vrasjen e Audrius Senavicius, 8 vite më parë në veri të Kosovës.
Kolegët e tij sot kanë bërë homazhe në vendin ku është kryer vrasja, ndërsa në faqen zyrtare, EULEX ka dhënë informacionin duke njoftuar më shumë detaje edhe për shifrën e majme.
“Ishte e enjte 19 shtator 2013 kur kolegu ynë Audrius Šenavičius u qëllua për vdekje derisa ishte duke ardhur me makinë për në punë. Sot ne nderojmë kujtimin për të dhe shprehim keqardhje të thellë për familjen dhe të dashurit e tij. Paraqituni, nëse keni ndonjë informatë që mund t’i ndihmojë policisë. Ne ofrojmë një shpërblim prej 82.000 euro për informata që çojnë në arrestimin dhe dënimin e autorit të kësaj vrasje. Lutemi të kontaktoni +383 38 284 181 ose vizitoni faqen tonë të internetit,”– thuhet në njoftim.
Pjesëtari i Policisë së EULEX-it, doganieri 35-vjeçar lituanez, u vra më 19 shtator 2013 ndërsa po shkonte në vendin e punës në veri të Kosovës, në afërsi të Zveçanit. Edhe pse kanë kaluar 8 vite nga ekzekutimi i tij, ende nuk ka asnjë informacion për atentatorin.
/a.r