Një apartament dhuratë nga vjehrri dhe aksione të fshehura në një kompani në konflikt interesi, rrezikojnë t’i ndërpresin karrierën në drejtësi Prokurorit të Vlorës, Erion Çelaj. Prokurori Çelaj u paraqit sot në Komisionin e Vetingut për t’u njohur me rezultatet e dosjes së verifikimit. Përpos të tjerave, Çelaj ka deklaruare se vjehrri i ka dhuruar në vitin 2012 një apartament në Selitë të Tiranës. Por, Komisioni i Vetingut, gjatë hetimit, ka konstatuar se kontrata ishte lidhur nga prokurori dhe paratë ishin paguar nga ai, 48 mijë euro. “Kjo pasuri është lënë amanet nga vjehrri i ndjerë dhe është realizuar vullneti i tij. Nuk kam asnjë kontribut dhe e ftoj Komisonin ta vlerësojë me objektivitet këtë çështje”, tha Çelaj.
Komisioni i Vetingut konstatoi se Çelaj nuk kishte deklaruar se ishte bashkëpronar në një kompani. “Babai ka qenë punonjës i kësja kompanie. Ai ka shënuar edhe emrin e tij kur shoqëria ishte privatizuar. Këto aksione janë në vlerë minimale e të papërfillshme. Nuk kam pasur arsye pse t’i fshihja po t’i dija”, tha prokurori. Ndërkaq, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, kishte dërguar një raport në KPK, duke ngritur dyshime se prokurori mund të jetë përfshirë në afera korruptive edhe gjatë periudhës së zbatimit të ligjit të Vetingut. Prokurori e konsideroi raporti si dashakeqës dhe të pabazë.
Megjithatë, gjatë hetimit, Komisioni i Vetingut, kishte konstatuar se prokurori kishte udhëtuar jashtë vendit për një personazh të botës së krimit, i dënuar për disa vepra penale. Komisioni e ka pyetur prokurorin nëse e njihte personin F.T. Ai ka deklaruar se e njeh pronar të një restoranti, por nuk ka pasur kontakte me të. Nga verifikimi në sistemin TIMS, KPK-ja ka konstatuar se prokurori Erion Çelaj kishte udhëtuar me këtë shtetas në Kosovë në vitin 2013. Sipas KPK, Çelaj ka qenë në dijeni të aktivitetit të këtij personi, pasi ka qenë drejtues i Prokurorisë së Vlorës kur ai është proceduar penalisht.
g.kosovari