Kryeministri Edi Rama dhe kancelarja gjermane Angela Merkel kanë dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp në Tiranë.
Në fjalën e tij Rama tha se kjo është në njëfarë mënyre një ditë e trishtuar pasi është edhe vizita e fundit e Merkel si kancelare. Kryeministri i Shqipërisë shtoi se askush s’e ka kuptuar Ballkanin se sa kancelarja gjermane.
“Me kancelaren ka gjithmonë një problem sepse nuk i ka qejf fjalimet me shumë fjalë të bukura, por njëkohësisht është shumë e sinqertë edhe shprehja e fjalëve më të mira lidhur me çka ajo bëri duke iniciuar procesin e Berlinit. Ky proce është një vizion largpamës për ta parë të ardhmen të gjithë së bashku. Përtej rezultateve konkrete, arritja më e madhe e këtij procesi është vendosja e një fryme bashkëpunimi në rajon” – tha Edi Rama.
Ai shtoi se ishte privilegj që kancelarja të ishte në Tiranë, në pamundësi për të vizituar të gjitha vendet e tjera.
“Kancelarja është një lider që ka drejtuar Gjermaninë prej shumë vitesh, por mbi të gjitha është gjermane dhe kohën e ka shumë të çmuar” – tha kreu i ekzekutivit shqiptar.
Fill pas fjalës së Ramës, ka qenë kancelarja Angela Merkel ajo që ka dhënë mesazhet e saj nga Tirana.
“I dashur Edi Rama, dua t’ju falenderoj që mundëm të realizonim së bashku një vizitë bilaterale. Ne duhet ta zgjerojmë më tepër bashkëpunimin. Dua ta përgëzoj Shqipërinë për përpjekjet që ka ndërmarrë vitet e fundit. Për fat të keq përgjatë presidencës gjermane nuk u realizua zgjerimi i BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për shkak të vetos së Bullgarisë. Kam patur kënaqësinë që prej idesë së vitit 2014, sot kemi një ndihmë shumë të fuqishme” – tha Merkel.
Kancelarja shtoi se Shqipëria dhe RMV i kanë përmbushur kushtet për procesin e integrimit. Ajo deklaroi se marrëdhëniet Gjermani-Shqipëri janë shumë të mira.
“Unë përshëndes edhe bashkëpunimin për tregun rajonal. Jo të gjithë po bashkëpunojnë, disa vende janë duke u menduar. Por dua të theksoj se procesi i Berlinit nuk është zëvendësim i negociatave për në Bashkimin Evropian. Zemra ime rreh për rajonin tuaj” – tha Merkel nga Tirana.
/JavaNews/a.r