Nga Ilir Yzeiri
Vendimi që mori Lulëzim Basha për të përjashtuar nga Grupi Parlamentar i PD-së, Sali Berishën, solli jo vetëm tronditje brenda PD-së, por edhe reagime të ndryshme. Për çudi, baza e PD-së, u tregua më e përmbajtur. Ajo, në heshtje, e ka pranuar se SHBA-të janë të pazëvendësueshme për PD-në në veçanti dhe për demokracinë shqiptare në tërësi. Nëse do të ishte ndryshe, do të kishim pasur, të paktën, ndonjë reagim nga rrethet e tjera të vendit, pra ndonjë manifestim në mbështetje të Berishës nga ndjekës të tij.
Mirëpo asnjë gjë të tillë nuk e pamë. Shfaqja e atyre 50 apo 100 vetëve më 10 shtator në hyrje të Kuvendit të Shqipërisë ishte një gjë e pritshme, megjithëse forma që ata kishin zgjedhur për ta nderuar Berishën i ngjante më tepër funeralit politik, siç vinte në dukje M.Baze, sesa triumfit dhe sfidës mbi Lulëzim Bashën e Parlamentin. Deri këtu gjithçka ishte normale, ashtu siç është e natyrshme që politikani më qesharak i tranzicionit shqiptar, Tritan Shehu, ta shoqërojë e të gdhihet poshtë shtëpisë së Berishës.
Ajo që unë, personalisht, nuk e kuptova dot ishte reagimi i menjëhershëm dhe me patos tragji-komik i atyre që deri dje, për humbjet katastrofike të PD-së, përveç të tjerash, kishin fajësuar Bashën edhe pse nuk distancohej nga Berisha. Grupi i ashtuquajtur për reformimin e PD-së iu vërsul Lulëzim Bashës, duke e akuzuar jo për idetë, por për metodën. Pavarësisht se rezultati i veprimit të Bashës, më shumë se të gjithë të tjerët, duhet të kënaqte pikërisht këtë grup, i cili që pas 25 prillit e kishte gozhduar Lulëzim Bashën dhe e kishte akuzuar për paaftësi, mungesë lidershipi e plotë e plotë të tjera, kjo gjë prodhoi të kundërtën te ky grup.
Pas shpalljes « non grata » të Sali Berishës, ky grup, gjithashtu, nxitoi t’i tregonte Lulëzim Bashës se marrëdhëniet me SHBA-të janë mbi çdo interes tjetër të PD-së, duke lënë të nënkuptohej se PD-ja duhet të ndahej nga Berisha. Disa madje i propozonin edhe skemën se si ai ta bënte këtë ndarje, skemë që, në thelb, kishte pikërisht këtë që bëri Lulëzim Basha : largimin e Berishës nga grupi i PD-së derisa të sqarohet situata.
Lulëzim Basha, më në fund, bëri një veprim që ishte në përputhje me ruajtjen e integritetit të PD-së dhe i hapi asaj rrugën që të mos izolohet nga SHBA-të dhe aleatët perëndimorë. Pra qëllimi u arrit. Pikërisht atë që kërkonte ky grup, Basha e realizoi. Mirëpo « reformatorët » iu vërsulën Bashës duke e akuzuar me një mijë e një epitete si « skuth » apo si « njeri që të shet natën e të qan ditën » pse ai përdori metodën që e mori vetë përgjegjësinë.
Në fakt, nëse Basha do të kishte dëgjuar «reformatorët» e PD-së, pra që të pyeste strukturat, të bënte një referendum, etj, Berisha nuk do të lëvizte nga grupi parlamentar i PD-së dhe «reformatorët», në këtë rast, do të ishin futur në kaos. Lulëzim Basha i ndihmoi ata duke ua hequr qafe Berishën, por, natyrisht, duke kërkuar me këtë rast që të fitojë edhe ai atë që i kishte munguar- mbështetjen e SHBA-ve. Dhe kjo është politikisht korrekte.
I vetmi deputet që veproi me integritet politik ishte Agron Gjekmarkaj. Ai, megjithëse ka qenë jo në një mendje me « reformatorët » e PD-së, nuk u shpreh që në fillim dhe pastaj kur foli mbajti qëndrimin e duhur politik, duke vlerësuar, me këtë rast, anën pozitive të këtij aksioni, pavarësisht se ai veprim prekte themeluesin e PD-së.
Në fund fare, ajo që mbeti nga gjithë kjo histori, sipas mendimit tim, ishte shfaqja e dobët e grupit që kërkon reformimin e PD-së dhe humbja e integritetit të tyre moral. Politikisht, ai grup nuk diti të sillej me zgjuarsi e pa emocion dhe të shfaqte me të vërtetë vizionin që presim të gjithë për fytyrën e re që duhte të ketë PD-ja. Në politikë jo gjithmonë sulmi ndaj kundërshtarit mund të jetë mundësi për të fituar mbi të. Tjetër, qëndrimi ndaj Berishës për shumë e shumë arsye tani u kthye në një vijë ndarëse midis atyre që duan reformimin e asaj partie dhe atyre që duan të përdoret akoma ajo parti për interesat familjare të Berishës.
Në këtë rast Lulzim Basha, i detyruar nga SHBA-të dhe i interesuar mbi të gjitha që të mbetet në politikë edhe pasi ta përzërë Berishën, fitoi kapital politik dhe u tregoi atyre që kërkonin ta reformonin PD-në duke e sulmuar atë me çdo kusht, se ai, në rrethana të caktuara, është më politikan se ata. Ai me këtë veprim i nxori zbuluar të gjithë ata që e kundërshtonin me ose pa të drejtë Bashën. Për fat të keq apo të mirë, mesa duket, ringritja e PD-së do të fillojë jo nga aksioni i «reformatorëve –dashnorë» të Berishës, por nga Lulëzim Basha.