Lehtësimi i masave kufizuese në 6-mujorin e parë të vitit dhe kthimi i aktivitetit ekonomik në normalitet, ka rimëkëmbur edhe të ardhurat e bashkive.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave nga janari në qershor nga pushteti vendor janë mbledhur 15.3 miliard lekë, nga 10,2 miliardë që u mblodhën vitin e kaluar.
“Të ardhurat vendore paraqiten me performancë në rritje, jo vetëm krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 që i përket periudhës së mbylljes totale nga pandemia COVID-19 (36% më shumë), por ato paraqiten me rritje edhe në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019, respektivisht në masën 4 % (+ 508 milionë lekë)”, thuhet në raportin e Ministrisë së Financave.
Ndikimin kryesor në rritjen e të ardhurave të bashkive vijon ta ketë taksa e ndikimit në infrastrukturë, e cila zë 31% të totalit të të ardhurave të mbledhura me 4.3 miliard lekë. Shkak për këtë rritje në këtë zë është bërë bumi i ndërtimeve që ka përfshirë vendin, edhe në kuadër të procesit të rindërtimit pas tërmetit të 2019.
Më pas janë të ardhurat nga taksa mbi pasurinë me 3.5 miliardë lekë ose rreth 1.3 miliard lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, për të vijuar më pas me taksën e ndërtesës, me 2.8 miliard lekë dhe “Tarifa e pastrimit dhe higjienës” me rreth 2.6 miliard lekë të mbledhura në 6-mujorin e parë.
Ndërkohë sa i takon shpenzimeve ato janë rritur me 9.5% krahasuar me vitin e kaluar, dhe në total sipas raportit ato ishin në vlerën e 24.3 miliard lekë.
/b.h