Ish-nënkryetari i LSI, Luan Rama thotë se opozita dhe LSI janë përgjegjëse për rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit.
Në një intervistë për News24, ai tha se opozita duhej të vendoste kushte të panegociueshme kur u ulën në tavolinë për reformën zgjedhore.
I pyetur se sa përgjegjësi ka Monika Kryemadhi në rezultatin e zgjedhjeve, ai tha se i gjithë ekipi drejtues i LSI duhet të ndjejë përgjegjësi për rezultatin e marrë.
Më tej ai është shprehur se LSI është në një moment delikat duke shprehur nevojën e reformimit të saj.
“Një drejtues i lartë politik, partie ka disa nivele dhe shkallë të përgjegjësisë. Morale, politike, partiake dhe mendoj që i gjithë ekipi drejtues i LSI duhet të ndjejë përgjegjësi për rezultatin. Ai është një rezultat që vlerësohet në bazën e numrave dhe sot kemi vetëm 4 deputetë. Nuk arritëm si opozitë që të mbërrinim tek formula që përkthen në mandate votën e qytetarëve.
Është absurd që të marrës mbi 100 mijë vota dhe te marrësh 4 mandate. Miratimi i ndryshimeve në Kod është përgjegjësi e opozitës. Opozita duhej të vendoste kushte të panegociueshme.
LSI është në një moment delikat i cili do të përcaktojë dështimin apo suksesin se sa do të arrijë LSI të shndërrohet në kauzën e të rinjve. Nëse LSI nuk riformulohet, rithemelohet që ta bëjë atë shpresën e të rinjve do të ketë problem. LSI duhet të fillojë që tani punën me 15 dhe 16 vjeçarët me partinë si një hapësire ku ata të gjejnë vetveten”- tha Rama.
Lidhur me vendimin për largimin nga çdo post drejtues i LSI, Luan Rama tha se qëndrimin ia ka bërë me dije edhe kryetares Monika Kryemadhi, e cila e ka mirëkuptuar.
“E kam thënë publikisht edhe me strukturat që nga rezultati i LSI në Vlorë do të varet qëndrimi im në strukturat drejtuese të LSI.
“Me zonjën Kryemadhi kam komunikuar më parë. Ia kam bërë të njohura me detaje arsyet e largimit dhe i kam kërkuar të më mirëkuptojë dhe ajo është shprehur me korrektesë se më mirëkupton”- u shpreh ai.
Luan Rama tha se mund t’i rikthehet gazetarisë, pasi është i papunë, ndërsa i pyetur për një rikthim të mundshëm në PS, Luan Rama u shpreh se Partia Socialiste është shtëpia e tij e lindjes, ndaj askush nuk mund ta pengojë për raportet e tij me këtë parti.
“Kam qenë delegati më i ri në atë sallë, kam punuar në gazetën e PS. Kam qenë Sekretar, ministër në tre qeveri, PS është shtëpia ime e lindjes dhe nuk kam asnjë arsye as ti marr ndokujt leje apo të pyes se çfarë do të bëj në raportin tim me PS.
E kam thënë, e kam thënë edhe publikisht në LSI, jam socialist në bindje, formim e kam për nder edhe atë që tha kryeministër, të jem zëdhënës dhe mbrojtës i idealeve të luftës. Nuk më stigmatizon mua, s’më bën të ndihem keq ironia e dikujt.
Unë do të vijoj të jem kontribues e votues i LSI për aq kohë sa LSI do të jetë ajo që dua unë. Paradoksalisht në Shqipëri mungojnë institucionet e vëmendjes shtetërore. Në kuptimin njerëzor jam një i papunë dhe meqenëse jam nga ata politikanë që profesion nuk kam vetëm politikën, jam në tundimin për t’iu kthyer profesionit të parë, kam përgatitur një projekt dhe jam në kontakt me disa subjekte mediatike sa projekti im është i vlefshëm për filozofinë editoriale. Nëse do të gjejnë dakordësinë. Do i rikthehesha profesionit tim si gazetar, edhe dimensionin publik edhe qytetar”, tha Rama.
Ndërsa nëse kryeministri Rama do t’i propozonte diçka, ai u shpreh kështu: “Nuk e ndërtoj karrierën time me nëse apo sikur. Do shoh thashë jam në negociata me subjekte mediatike, nëse bien me kushtet reciproke. Pse jo do ta vë veten para sfidës për të dëshmuar që tek unë jo vetëm nuk ka vdekur gazetari por është i gjallë dhe etik”. NEWS 24