Turqia po synon që te jetë në fokus të diplomacisë ndërkombëtare me ofertën rivënien e shpejtë në punë te aeroportit të Kabulit një kusht i rëndësishëm për ardhjen e ndihmave humanitare në Afganistan. Pas tërheqjes së trupave ndërkombëtare ky aeroport nuk është më në funksionim.
Ankaraja që nga fillimi i misionit ndërkombëtar të NATO-s, ka qenë prezente në Afganistan me 2000 trupa ushtarake. Detyra kryesore e turqve ka qenë sigurimi i aeroportit të Kabulit.
Në takimin e NATO-s në Qershor, Presidenti Erdogan bisedoi me presidentin amerikan, Joe Biden për mbështetjen ushtarake të Ankarasë në Kabul. Asokohe u fol, se Turqia mund të marrë përsipër sigurimin e aeroportit pas tërheqjes së amerikanëve.
Synimet e presidentit turk Erdogan, nuk duket se do të kufizohen tek aeroporti. Para se talebanët të merrnin papritur Kabulin, Ankaraja kishte besuar, se mund të përcaktonte rolin e saj të ri në Afganistan, gjithmonë në ujdi me zhvillimin e një politike të jashtme gjithnjë e më të pavarur të Ankarasë.
Që Turqia është përpjekur të forcojë profilin e saj edhe me Afganistanin u duk në përpjekjen për të kthyer Stambollin në vend të bisedimeve të paqes të talebanëve dhe qeverisë afgane, thonë ekspertët për Turqinë. Por kjo nuk u realizua, sepse talebanët refuzuan.
Turqia në këndvështrimin e shumë vëzhguesve perëndimorë si vend me shumicë myslimane, mund të marrë një rol kyç në bisedimet me talebanët. Zëdhënësi i talebanëve, Sheyl Shaheen e ka bërë të qartë se të gjitha fuqitë e huaja të armatosura duhet të tërhiqen nga vendi. Edhe presidenti turk luajti me kartën fetare pasi sipas tij nuk ka kontradiktë mes besimit të talebanëve dhe Turqisë.
Ministrat e Jashtëm të BE -së kanë vendosur që të koordinojnë veprimet për të ruajtur një prani evropiane në Kabul për evakuimin e njerëzve që kanë qenë pjesë e stafeve ndërkombëtare dhe që duan të largohen nga Afganistani.
/a.r