Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e zhvilluar me Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, emëroi si ministre disa gra jo shumë të njohura për publikun e gjerë.
Më poshtë janë disa të dhëna nga jetëshkrimet e tyre.
Frida Krifca është emëruar ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimin Rural, duke pasuar Milva Ekonomi-n. Por, cili është profili i saj?
Frida është “prodhim” i gjimnazit “Sami Frashëri”`. Më tej është diplomuar nga Universiteti i Tiranës, në Fakultetin e Ekonomisë dhe ka Master në Administrim Biznesi.
Krifca ka punuar për katër vite si drejtore për Shqipërinë për Trupat Vullnetare të Shërbimeve Financiare (FSVC), një OJQ me zyra qendrore në New York.
Para se t’i bashkohej FSVC-së, ka punuar pranë një banke tregtare në Tiranë, si Drejtore Marketingu dhe Marrëdhëniesh me Publikun, pas disa viteve në fushën e menaxhimit dhe strategjive në një kompani biznesi.
Krifca është në drejtim të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) prej muajit korrik, 2017.
Edona Bilali është emëruar ministre Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.
Edona Bilali ka lindur në vitin 1989 në Shkodër. Në zgjedhjet e fundit ajo kryesoi listën e kandidatëve të Partisë Socialiste në Shkodër.
Referuar jetëshkrimit të saj zyrtar, në vitet 2006-2010 ajo ka kryer Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë për administrim biznesi.
Në vitet 2012-20145 ka kryer po në Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë një master profesional në marketing.
Nga viti 2013 e deri tani ajo është administratore dhe ortake në një studio konsulence në Tiranë. Që prej viti 2010 është pedagoge e ftuar në Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë.
Delina Ibrahimaj është ministrja e Financave, e cila pason Anila Denaj-n. Ibrahimaj është diplomuar për Ekonomi Ndërkombëtare. Studimet Doktorale i ka ndjekur për Menaxhim të Bankave dhe Financave.
Ministrja e re e Financave ka shërbyer për një periudhë 3 vjeçare, (2016-2019) si drejtore e Përgjithshme e Institutit të Statistikave, më pas si drejtore e Tatimeve.
/a.r