Presidenti Ilir Meta ka dekretuar datën 10 shtator si ditën kur do të mbahet mbledhja e parë e legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë, dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.
“Ditën e premte, në datë 10 shtator 2021, ora 10:00, thirret për t`u mbajtur mbledhja e parë e Legjislaturës së X-të të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në dekretin e kreut të shtetit.
Në dekretin e kreut të shtetit thuhet se legjislaturës aktuale të Kuvendit i përfundon mandati në datën 09.09.2021.
Ndërkohë që rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë është shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes Vendimit nr. 21, datë 13.07.2021, të Komisionit Rregullator.
D E K R E T
PËR THIRRJEN E MBLEDHJES SË KUVENDIT TË PORSAZGJEDHUR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 65 pika 1, 67 pika 1, dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, pas zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë të datës 25.04.2021, rezultati përfundimtar i të cilave është shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes Vendimit nr. 21, datë 13.07.2021, të Komisionit Rregullator, si dhe në kushtet kur Legjislaturës së IX-të të Kuvendit, i përfundon mandati në datën 09.09.2021,
D e k r e t o j:
Neni 1
Ditën e premte, në datë 10 shtator 2021, ora 10:00, thirret për t`u mbajtur mbledhja e parë e Legjislaturës së X-të të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
Nr. Dekretit 13207
Tiranë, më 01.09.2021
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
ILIR META
g.kosovari