Gazetarja dhe prezantuesja e BBC World News, Yalda Hakim, e cila përmes fondacionit që mban emrin e saj, mundi të nxjerrë nga Afganistani e sjellë në Shqipëri 59 persona. Kësaj here në rolin e të intervistuarës dhe jo intervistueses, Yalda, në një intervistë tregon për gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu si e arriti këtë.
Yalda Hakim: Muhamed, ky operacion ishte diçka shumë personale për mua. Në dy vitet e fundit më është dashur të njihem me këto vajza të reja nga fondacioni im, duke i parë atyre rezultatet e provimeve por situata e sigurisë së tyre po përkeqësohej. Ato ishin vajza të reja dhe e ndjeva se kisha përgjegjësi për to. Kur isha në Afganistan pak javë pasi ra Kabuli, u tregova se nuk duhet të largoheshin nga shtëpitë pasi po bëheshin gati sulme kamikaze. Disa prej vajzave që tani ka mbërritur në Shqipëri janë prej minoritetit Hazara, që i përket sektit SHIA të fesë islame. ISIS-K kishte nisur sulme të pamëshirshme për këtë komunitet duke mos kursyer maternitetin. Për shembull vranë nënat e reja me foshnjat e tyre.
Sikurse sulmuan një shkollë ku 19 vajza u vranë. Ky është rajoni prej nga ku kanë ardhur këto vajza. Isha shumë e shqetësuar për to pasi pak përpara rënies së Kabulit me kontaktonin dhe i sigurova se do të bëja gjithçka mundesha për ti nxjerrë nga atje me ndihmën e miqve që njoh. Vendosëm ta bëjmë këtë duke përdorur shumë miq, shumë kohë përpara rënies së Kabulit. Siç e shikoni gjithçka është drejt mbylljes tani në aeroport. Ne ia dolëm ti nxjerrim brenda kohës së mundshme.
Muhamed Veliu: Mund të na tregoni diçka më shumë se kush janë 59 personat e ndihmuar prej fondacionit tuaj?
Yalda Hakim: Janë disa prej studentëve të Universitetit Amerikan të Afganistanit por shumë prej tyre mbetën atje duke u përballur me kërcënimet e talibanëve. Disa njerëz të talibanëve shkuan tek universiteti dje, dhe i quajtën ata “ujqër të trajnuar prej amerikanëve”. Janë shumë prej tyre në gjendje të dëshpëruar për të lënë vendin. Mes këtij grupi prej 59 personash krahas studentëve dhe familjeve të tyre ia dolëm të nxjerrim edhe disa gazetarë. Ata janë nga TOLO TV netuorku më i madh televiziv atje. Janë gazetarë, prezantues, komedianë, drejtues programesh radiofonikë. Show-t argëtuese dhe muzikore janë mbyllur dhe njerëzit e lidhur me to janë në rrezik. Gazetarët ishin shumë kritikë me Talibanët dhe ishin në mënyrë të dëshpëruar në nevojë të largoheshin. Këta janë shumica e njerëzve që ishin në aeroplanin tonë.
Muhamed Veliu: Yalda, çfarë rreziku u kanosej këtyre personave nëse vijonin të qëndronin në Afganistan?
Yalda Hakim: Ne po e shikojmë tani se grupe të caktuara gazetarësh apo të shoqërisë civile janë duke u përballur me kërcënime prej talibanëve apo grupimit ISIS-K. Situata është duke u agravuar dhe shumë e rrezikshme në kryeqytet, ku nuk ka qeveri pasi talibanët nuk kanë ndërtuar plotësisht qeverinë. Pra kërcënime pafund nga talibanët dhe ISIS-K. Të gjithë njerëzit që kanë ardhur në Shqipëri ishin në rrezik për jetën.
Muhamed Veliu: Planifikoni që përmes fondacionit tuaj të sillni të tjerë persona?
Yalda Hakim: Për momentin është e vështirë nxjerrja e njerëzve. Talibanët kontrollojnë aeroportin dhe sigurinë duke e vështirësuar për qytetarët të largohen. Edhe shumë pika kufitare janë të mbyllura. Marr çdo ditë me qindra kërkesa e lutje nga njerëz që janë të dëshpëruar të cilët më luten ti ndihmoj. Nuk mund tu jap asnjë garanci pasi nuk e di çdo të sjellë e ardhmja pasi ka shumë pasiguri çdo të ndodhë më tej. Talibanët kanë thënë se kush do të largohet do të kenë kalim të sigurt, por njerëzit janë të frikësuar dhe nuk e dinë çdo të ndodhë pas tërheqjes të amerikane pas ditës së nesërme.
Muhamed Veliu: Si e shikoni gadishmërinë e kryeministrit Edi Rama për të strehuar 4.000 afganë në nevojë.
Yalda Hakim: Flet vetë e gjitha kjo apo jo? Kur një vend i vogël që nuk ka një ekonomi të fortë kthehet në tejet bujar. Përmes udhëheqjes së kryeministrit Edi Rama i cili ka thënë se “Ne ishim më parë Afganët duke pasur kohë të vështira dhe kapituj të errët në histori”. Ma ka thënë edhe mua për vuajtjet e shqiptarëve duke i krahasuar me vuajtjet e sotme të afganëve. Udhëheqja e tij, lidershipi dhe bujaria flasin vetë përmes atyre pamjeve që kam parë të fëmijëve që kanë lënë luftën dhe ju është dhënë mikpritje, miqësi dhe çdo gjë e mirë nga populli shqiptarë. Afganët që janë aty kurrë nuk do ta harrojnë këtë në të gjithë jetën e tyre.