Nga Artur Ajazi
Dyfishimi numrit të nënkryetarëve, futja e 15 anëtarëve të rinj në kryesi, rritja e numrit të departamenteve (aspak funksionalë) largimi i Nishanit pa nam e nishan, largimi i zërave kundër dhe gradimi i disa të tjerëve, janë këto disa prej “të rejave” që ka sjellë mbledhja e Këshillit të ri Kombëtar.Fatalitete,shkelje statutore, emërime mes një klime qejfmbetjesh dhe turfullimesh ndaj kryetarit arrogant, po e shoqërojnë në thelb partinë e Bashës. Largimi demonstrativ i Mark Markut, (thuhet se do të ketë edhe të tjera) shija e hidhur që la pas deklarata e tij e guximshme, duhej të ishin paracaktime të cilat duhej ta bënin Lulzim Bashën të reagonte ndryshe.Ai mblodhi Këshillin(e ri) Kombëtar, duke qenë i ndërgjegjshëm në gjithçka ka bitisur pas hakmarrjes ndaj atyre që tentuan ti zënë vendin, dhe ti kërkojnë atij largimin pas humbjes së 5 rradhazi përballë Edi Ramës. Basha nga sot, do të ketë jo më 2, por 4 nënkryetarë partie. Katër nënkryetarë ndoshta nuk ka as partia e Merkelit. Katër “yje të pashuar” akoma në skenarin e Lulit, katër servilë që do ti përdorë ai në “betejat dhe aksionet” opozitariste, duke tërhequr gjithçka nga vetja. Katër “Kamberë në një derë” thotë populli, duke thumbuar ata që shtohen për të mos bërë asgjë. Lulzimi gradoi Gridën, Enkeledin, Rushën dhe Tabakun, por nuk la pa graduar edhe Palokën, duke forcuar rrethin e anemikëve në atë parti. Baza e saj ka kohë që kundërshton drejtimin dhe “riformatimin” që Luli po i bën asaj partie. Kryetarët e degëve në rrethe janë në prag të largimit nga ajo partie, ndërkohë që kryetari (de jure) zgjedh Këshillin e ri Kombëtar, kryetarin e tij, shton numrin e nënkryetarëve, dhe “forcon” kryesinë me 15 anëtarë. Të gjitha me propozim nga lart dhe miratim nga poshtë. Asgjë me diskutim dhe votim nga anëtarësia, siç ka deklaruar Lulzim Basha. E ndërsa dita e hapjes së Parlamentit të ri po afron, pozitat e Sali Berishës në Partinë Demokratike duket se janë më “solide” se kurrë. Ai nuk ka ndërmend të tërhiqet, dhe nuk i trembet as një “beteje” me Bashën, edhe pse ky i fundit thonë se “diçka do të bëjë deri në futjen e grupit të deputetëve në Parlament”.E gjithë situata rreth të cilës rrotullohet skenari i Lulzim Bashës, është krijimi i një alibie të besueshme për bazën e partisë, pas së cilës ai do të dalë “shpëtimtari i saj nga komplotistët dhe të shiturit”. Nga ana tjetër, frika se pas Sali Berishës, “non-grata” mund të ketë edhe për të tjerë emra nga Partia Demokratike apo LSI-ja, po e mundon së tepërmi Lulzimin. Ai e ka kthyer partinë në biznes, dhe ka 8 vjet që po luan bixhoz me fatet e saj. Asgjë nuk votohet, asgjë nuk diskutohet, asgjë nuk miratohet pa “iradenë” e tij, aq sa në Partinë Demokratike po thonë “u qamë kot nga Saliu”. Ajo partia tani e tutje, do të jetë mes Bashës dhe Saliut, jo mes lirisë dhe demokracisë. Atje mes tyre, nuk ka as të drejta, as liri, as demokraci dhe as qytetërim perëndimor. Atje ekziston brutaliteti, medioktiteti, apatia dhe kamuflazhi, ndaj shpesh duket sikur Lulzimi i ka bërë të gjithë si vetja. Gjysma e atyre që sot Lulzim Basha mban pas vehtes, (por edhe ai si person) shumë shpejt do të jenë objekt i SPAK-ut dhe organeve të tjera të drejtësisë re.